18 December 2013

Statusi shtyhet për në qershor


Nuk ka as status kandidat, por as kushte shtesë për Shqipërinë. Konkluzionet e BE-së përcaktojnë se “Këshilli do të shqyrtojë” statusin kandidat për Shqipërinë në qershor 2014, në bazë të raportit të Komisionit mbi vazhdimin e zbatimit të strategjive kundër korrupsionit e reformës gjyqësore dhe legjislacionin përkatës të miratuar së fundmi, si dhe vazhdimin e tendencës për hetime proaktive dhe ndëshkime, përfshirë edhe në fushën e krimit të organizuar.“Ne e vlerësojmë progresin thelbësor për integrimin europian të Shqipërisë. Meqenëse dhënia e statusit kandidat ndaj Shqipërisë është veç një çështje kohe, ne do t’i kthehemi kësaj çështjeje në qershor. Presim, që vendi të vijojë përpjekjet për luftën ndaj krimit të organizuar dhe korrupsionit”, komentoi Linas Linkevicius, ministër i Jashtëm i Lituanisë,
Presidenca aktuale e BE-së.
“Pati zhvillime thelbësore këtë vit në Shqipëri dhe Këshilli i njohu siç duhet ato: konsensusi ndërpartiak për miratimin e masave kyçe për reformën e gjyqësorit, parlamentit e administratës publike; mbajtja pa pengesa e zgjedhjeve të qershorit ishte po ashtu një hap përpara për Shqipërinë; si dhe hapat e mëtejshëm për luftën ndaj krimit të organizuar e korrupsionit. U lavdëruan posaçërisht përpjekjet e qeverisë në fushën e sundimit të ligjit dhe për ritmin e ri të reformave. Kemi një takim të caktuar për në qershor, kur unë pres, sikundër dhe teksti i miratuar që sugjeron se, për sa kohë Shqipëria vazhdon punën e mirë aktuale, do të marrë statusin kandidat. Tashmë i takon Shqipërisë, qeverisë, opozitës dhe autoriteteve në vend, që të punojnë së bashku për të ndërtuar mbi arritjet impresionuese të deritanishme”, u shpreh Stefan Fule, Komisioner për Zgjerimin.
Vetëm 23 nga 28 vendet anëtare në tërësi ndanë përshtypjet e impresionuara të Komisionerit për Zgjerim, mbi arritjet e deritanishme të Shqipërisë. Për 5 shtetet e tjera anëtare duhej më shumë kohë për t’u bindur me progresin e Shqipërisë.

No comments:

Post a Comment