20 September 2013

Parku i Viroit rrezikon shembjen e urave


Kjo është gjendja në të cilën ndodhet Parku Natyror i Viroit i cili ndodhet rreth 3 km në veri të qytetit të Gjirokastrës. Themelet e urës së mesme e cila është ndërtuar 40 vjet më parë, po degradojnë dhe shembja është e paevitueshme. Ndërkaq pas nuk ngelet as ura mbi liqenin artificial mbi të cilën kalon aksi nacional Gjirokastër-Tepelenë.
Të dyja këto vepra, kanë probleme serioze në qëndrimin e tyre themelor. Mungesa e investimeve disa vjecare, i ka shndërruar këto objekte, në rrezik potencial ku nga momenti në moment, mund të shndërrohen në shkak të ndonjë tragjedie përmasat e të cilës do të ishin fatale. Gërryerrja e ujërave të liqenit dhe e rjedhës së lirshme të ujërave të bardha nga krahu lindor, ka ndikuar në dobësimin e bazës pingule të kësaj ure dhe asaj bazale që përshkohet rruga Gjirokastër-Tepelenë. Situata paraqitet mjaft kritike pasi me ardhjen e vjeshtës dhe mbërritjen e shirave, bazeni i liqenit do të rimbushet e kësisoj, investimi do të jetë i pamundur e për pasojë fatkeqësitë do të ishin tërësisht të paevitueshme. Bashkia e Gjirokastrës, ndërkohë, ka studiuar një plan konkret në terren për ndërhyrje me një fond gati 400 mijë lek, por që sipas nënkryetarit të Bashkisë së Gjirokastrës Vangjel Muco, është jo i mjaftueshëm pasi nevojitet një investim kapital, për vetë problematikën që paraqitet.Parku Natyror i Viroit, ndodhet 3 km në veri të qytetit të Gjirokastrës dhe ka një sipërfaqe gati 10 ha. Mjaft herë ai ka rënë pre e dëmtimeve si pasojë e erozionit kohor, zjarreve dhe mungesës së investimeve nga ana e pushtetit vendor. Statusin si park natyror, e ka fituar 20 vjet më parë, ndërsa liqeni, është ndërtuar 45 vjet më parë si iniciativë e një grupi mjeshtërish ndërtimi dhe ish Komitetit Egzekutiv të rrethit.

No comments:

Post a Comment