19 October 2013

UNESCO: Dhamë 850 mijë dollarë për kalldrëm në Gjirokastër, u bënë beton!

Një tjetër letër i ka ardhur Shqipërisë nga UNESCO, sërish për Beratin dhe Gjirokastrën, e sërish për problematikat e tyre. Sektori i Kulturës pranë Qendrës së Trashëgimisë Botërore i shpalos shqetësimet e veta përmes Kishore Rae. Letra i drejtohet Besiana Kadaresë, ambasadore e Shqipërisë në UNESCO dhe në të ritheksohen ato që janë thënë më herët sa i takon mbrojtjes së qyteteve të shpallura pasuri botërore, ndërsa kërkohet që të trajtohen si një dhe se çdo vendim për të duhet marrë nga Instituti i Monumenteve. Vihet në dukej fakti ase ky institut duhet të ketë më shumë specialistë.

Zjarri e rrugët 
Paçka të gjithë këshillave, ka dy çështje të cilave u jepet rëndësi e veçantë. Në letër thuhet se në një raport të mëparshëm na është thënë që dy hidrantë të rinj janë të instaluar në Qendrën Historike për mbrojtjen nga zjarri në kala e në Pazarin e Vjetër si edhe në rrugë qyteti bllok. Por sipas letrës, fakti është se nuk ka hidranti zjarri në të gjithë në Qendrën Historike të Gjirokastrës. Këtë e ka konfirmuar për ta edhe një zyrtar i bashkisë, i ngarkuar me këtë çështje dhe shefi i departamentit të mbrojtjes nga zjarri.
Pika e dytë e rëndësishme e letrës ka të bëjë me një fond prej 85.000.000 lekësh, i dhënë për rindërtimin e rrugës në qendrën historike. "Fakti është, - thuhet në letër - se ndërsa kjo sasi parash mund të jetë shpenzuar për ndërtimin e rrugëve, nuk është përdorur për rindërtimin e rrugëve me kalldrëm, që përbëjnë një pjesë të rëndësishme historike të qytetit me karakter otoman, por përkundrazi: (janë përdorur) për të mbuluar rrugët e kalldrëmta me beton. Vetëm disa pjesë shumë të vogla të rrugës me kalldrëm janë riparuar.
Keqkuptim apo keqpërkthim? 
Sa i takon çështjes së rrugëve të kalldrëmta, në letër thuhet se “ne nuk mund të përcaktojmë nëse këto moskorrektësi në Raportin e ICOMOS kanë ndodhur për shkak të një keqinterpretimi të fakteve, ose për shkak të një keqkuptimi nga ana e misionit. Mund të vërejmë në këtë kontekst se: a) Misionit i është dhënë vetëm një përkthyes amator (një vullnetar dhe një i afërm i një zyrtari të Institutit të Monumenteve të Kulturës, aftësitë e të cilëve anglisht janë mjaft të kufizuara), dhe b) misioni përbëhej nga vetëm një person i cili qëndroi në qytet për vetëm një ditë, sigurisht jo kohë të mjaftueshme për të verifikuar informacionin e marrë nga autoritetet”.
Gjendja e Konservimit 
Ndërtimet pa leje në Berat e Gjirokastër mbeten problem serioz, për shkallën e madhe në Gjirokastër dhe mungesën e implementimit të plani për këto dhunime. Më tutje shtohet se mungojnë mjetet ligjore që do t'i ndalonin ndërhyrjet joligjore dhe kërkohet implementimi i "Rregullores për Qendrën Historike të Beratit dhe zonën e saj tampon" sa më shpejt të jetë e mundur, ndërsa shtohet se një gjë e tillë duhet bërë edhe për Gjirokastrën. Letra shprehet se Berati e Gjirokastra nuk po menaxhohen si një pronë e vetme e po ashtu kërkohet nga shteti që qytetet të pajisen me hidrant kundra zjarrit për ato pjesë të qyteteve që nuk mbulohen nga fondet e BE-së. Kërkohet që rekomandimet në pjesën më të madhe të plotësohen deti në fund të vitit 2014, në mënyrë që problemet të mos rriten në masën që mund të rrezikojnë vlerat e jashtëzakonshme universale.
Rekomandime 
Si fillim, vihet në dukje se ka më pak kujdes për Gjirokastrën se sa për Beratin. Më tej, theksohet se ka një numër vështirësish për shkak të burimeve të pakta dhe fuqisë punëtore, si dhe ato që rrjedhin nga mangësitë në legjislacionin ekzistues dhe strukturën e menaxhimit.
Sipas raportit të misionit të UNESCO-s, "Ligji mbi Trashëgiminë Kulturore" është shumë i gjerë nuk mjafton për të mbrojtur qytetet muze. UNESCO propozon disa rishikime në ligjin ekzistues, që duhet të jenë ato mbi: ligjin e pronësisë, ku duhet të përcaktohen se ç'duhet bërë kur pronarët e monumenteve nuk mund të gjenden; të përcaktojnë dhe rregullojë me amendime të veçanta rastet në të cilat pronarët janë financiarisht të pafuqishëm, të përcaktohen detyrat dhe obligimet e institucioneve lokale dhe IMK-së, të rritet dhe të fuqizohet roli i Policisë Ndërtimore, etj. Misioni rekomandon që duhet bërë një klasifikim më i saktë i ndërtesave historike, madje thotë që kjo është absolutisht e nevojshme, pasi ndërtesa të pa-ligjshme apo të reja janë të regjistruara si monumente të kategorisë së 2-të dhe për këtë pikë është lënë si afat, nëntori i këtij viti. 

No comments:

Post a Comment