04 July 2013

Pensionet prej 15 korrikut


Do të vijojohet me rritjen e pensioneve, pavarësisht se dy ditët e fundit u lakua për një anulim të këtij vendimi dhe atij të rritjes së pagave. Aktualisht është miratuar në qeveri akti normativ i rritjes së pensioneve, i cili hyn në fuqi në datën 15 korrik dhe e shtrin efektin që nga 1 korriku i këtij viti.
Në vendim përcaktohet saktë se sa shkon përftimi minimal dhe maksimal pas shtesës së subvencioneve, ndërkohë që vetë pensioni rritet në përqindje të ndryshme për fshatin dhe qytetin. Por sa do të rriten realisht pensionet sipas vendimit të qeverisë?
Rritja në qytet
Në qytet pensionet do të rriten me 4 për qind. Pensioni minimal, sipas vendimit të qeverisë, 11 562 lekë, shkon ne 12 024 lekë. Të ardhurat minimale nga 13 712 në 14 174 lekë. Kur themi të ardhurat minimale, kemi të përfshirë, përveç pensionit si shumë fillestare, edhe subvencionet që qeveria u jep pensionistëve për ndryshimin e çmimit të bukës, për energjinë elektrike apo edhe shtesa të tjera. Ndërkohë që pensioni maksimal në qytet pritet që të shkojë nga 23 123 në 24 048 lekë. Të ardhurat maksimale pas shtimit të subvencioneve shkojnë nga 23 623 lekë në 24 548 lekë.
Rritja në fshat
Rritja në fshat, në ndryshim nga qyteti, do të jetë në një përqindje pak më të lartë, edhe pse kjo në mënyrë modeste. Kështu, nëse për qytetin pensionet do të rriten me 4 për qind, për fshatin rritja është planifikuar me 5 për qind. Kjo është në vijim të politikës së barazimit të pensioneve të fshatit me ato të qytetit një politikë, e cila ka vite që zbatohet. Kështu, sipas vendimit të qeverisë, pritet që në fshat pensioni nga 7841 lekë të shkojë 8233. Të ardhurat minimale nga 8731 lekë do të shkojnë 9123 lekë. Kjo vlerë vjen edhe pas shtimit të subvencioneve shtesë që qeveria mendon, por që për fshatin janë më të reduktuara sesa për qytetin.
Paratë
Rritja e pensioneve është një politikë që qeveria e ka zbatuar prej vitesh. Në buxhetin e vitit 2013 është planifikuar si zë i veçantë rritja e pensioneve dhe është menduar që kostoja totale e kësaj politike të jetë 15 milionë dollarë. Aktualisht, edhe pse arka e shtetit ka pësuar një rënie të madhe të të ardhurave dhe deficiti është rritur dukshëm, nga ana e qeverisë është shprehur qëndrimi statik se rritja e pensioneve do të vazhdojë. Nga rritja që do të zbatohet pritet që të përftojnë më shumë se 553 mijë pensionistë në qytet dhe fshat. Rritja çdo vit është bërë më datë 1 korrik, por shumën e rritjes pensionistët e kanë marrë me vonesë. Një gjë e tillë pritet që të ndodhë edhe tani, ku shtesën pensionistët që e kanë tërhequr pensionin e tyre do ta marrin sipas njoftimit që do të bëhet nga ana e Institut të Sigurimeve Shoqërore.

No comments:

Post a Comment