28 April 2013

Vjedhja me dhunë në Gjirokastër, prokuroria: Zhvarrosni Pandeli Magllarën

Hije skandali në Prokurorinë e Gjirokastrës. Pak ditë pas vrasjes së një të moshuari nga persona që tentuan t'i grabisnin shtëpinë, zbulohet se viktimës nuk i është bërë autopsia, edhe pse në trupin e tij kishte shenja të dukshme dhune. Për këtë shkak, në pamundësi për të formuluar një akuzë konkrete ndaj dy të dyshuarve për vrasjen e Pandeli Magllarës, Prokuroria e Gjirokastrës kërkon zhvarrimin e 78-vjeçarit. Për ngjarjen e rëndë të ndodhur në Dropull janë vënë në pranga si të dyshuar kryesorë Ardian Qopekaj, 25 vjeç dhe Dashamir Kamo, 43 vjeç, të akuzuar për vrasjen dhe grabitjen e 2 të moshuarve. Mësohet se zhvarrimi do të bëhet mëngjesin e sotëm në varrezat e fshatit Vodhinë në komunën e Dropullit të Sipërm.  

PROKURORIA 15 ditë pas ngjarjes makabre në fshatin Vodhinë, ku Pandeli Magllara, 78 vjeç u vra nga grabitësit dhe gruaja e tij, Evanthia u plagos, Prokuroria e Gjirokastrës nuk ka ende një akuzë për autorët e dyshuar. Për këqyrjen e kufomës u angazhuan ekspertë nga Tirana, madje trupi nuk u lëviz nga vendngjarja për disa orë me radhë, deri në mbërritjen e tyre.Por ekspertët janë mjaftuar me një ekspertizë të përgjithshme të viktimës në vendin e ngjarjes dhe nuk kanë kryer autopsi, megjithëse 78-vjeçari ka pasur shenja të dukshme dhune në të gjithë trupin. Kjo gjë pohohet edhe nga familjarët e viktimës. Kërkesa për zhvarrimin e 78-vjeçarit është ndërmarrë nga Prokuroria e Gjirokastrës, e cila e ka kërkuar që të bëhet autopsia për të hedhur dritë mbi shkaqet e vdekjes së të moshuarit, çka do të përcaktojë edhe akuzën ndaj 2 të pandehurve. Ende nuk është e përcaktuar nëse autopsia do të kryhet pranë varrezave apo kufoma e 78-vjeçarit do të transportohet në morgun e spitalit rajonal "Omer Nishani", në Gjirokastër. Për ekspertizën mjeko-ligjore pritet të mbërrijnë në Gjirokastër specialistë mjeko-ligjorë nga Tirana.

FAMILJARET Për të afërmit e viktimës Pandeli Magllara, zhvarrimi i trupit është një vdekje e dytë. Por gjithsesi ata shpresojnë se ky akt do të sqarojë edhe dyshimet e ngritura mbi shkaqet e vdekjes së 78-vjeçarit. Familjarët shprehen se trupi i tij në momentin që është gjetur ka qenë i masakruar. Ai ka pasur shenja të dukshme dhune në pjesën e kokës dhe është gjymtuar me pinca dhe leva në pjesën e barkut. Torturat e kryera ndaj tij kanë shkaktuar edhe infarktin e menjëhershëm të 78-vjeçarit. Pra, sipas familjarëve, Pandeli Magllara është vrarë gjatë dhunimit, të gjitha ato që ka kaluar kanë shkaktuar vdekjen. Për këtë arsye ata kanë kërkuar që të jepet edhe dënimi maksimal për 2 autorët. Në orët e para të mëngjesit të 13 prillit, dy persona hynë në banesën e dy të moshuarve për të grabitur. I zoti i shtëpisë, Pandeli Magllara ka dëgjuar zhurmat dhe është ngritur nga shtrati për të kontrolluar, por është përballur me dy grabitësit, të cilët kanë ushtruar dhunë ndaj tij. Për pasojë plaku ka humbur jetën. Bashkëshortja e tij, Evanthia, kur ka dëgjuar zhurmë, ka shkuar menjëherë në katin e dytë të banesës, por është goditur me sende të forta në kokë nga dy grabitësit, të cilët më pas e kanë lidhur dhe i kanë zënë gojën me plasmas që të mos bërtiste. Dy ditë pas ngjarjes, policia arrestoi si autorë të ngjarjes Ardian Qopekajn dhe Dashamir Kamon me akuzën për veprën penale të "Grabitjes me dhunë, me pasojë vdekjen".

No comments:

Post a Comment