11 August 2013

Stuhi në Sarandë, rreth 80 pushues bllokohen në Plazhin e Pasqyrave

- Prishja e papritur e motit pasditen e djeshme, ka bërë që 80 pushues të mbeten të bllokuar për rreth 3 orë në Plazhin e Pasqyrave, në afërsi të Ksamilit. Djem të rinj, por edhe familjarë, mes të cilëve edhe gra e fëmijë, e kanë gjetur veten të rrethuar nga deti i egërsuar e nga ana tjetër nga shkëmbinj vështirësisht të kalueshëm edhe në kushte normale. Pikërisht kalimi i rrugës që të çon në Plazhin e Pasqyrave përmes shkëmbinjve, e bën edhe më intrigues frekuentimin e tij, që mbahet nga më të virgjrit në bregdetin e Ksamilit. Pengesat shkëmbore dhe ato ujore, në kushtet e detit të qetë, kalohen pa problem. Por kur ai befas është egërsuar në orët e pasdites, të 80 personat e kanë parë të pamundur largimin nga plazhi i veçuar që kishin zgjedhur.

BLLOKIMI Në kushtet e djeshme, aventura është kthyer në një rrezik. 80 plazhistët, mes të cilëve 10 gra dhe 5 fëmijë, kanë mbetur të izoluar pas prishjes së motit. Largimi i tyre ka qenë gjithashtu një aventurë e rrezikshme dhe e pamundur, si me rrugë detare, edhe me rrugë tokësore. Kjo, për shkak të terrenit me shkëmbinj të thepisur dhe intensitetit të erës detare. Ata kanë njoftuar të afërmit dhe policinë nëpërmjet telefonave celularë dhe “Facebook”-ut, pasi mësohet se nuk ka munguar lidhja e internetit.
EVAKUIMI Pas sinjalizimit, Policia Kufitare, ajo e Rendit, si dhe Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë (FNSH) kanë shkuar në vendngjarje për evakuimin e 80 plazhistëve. Rojat bregdetare, me gomonen e me skafin e Policisë Kufitare dhe forca të tjera nga toka, kanë tentuar disa herë t’i evakuojnë pushuesit, por ka qenë e pamundur. Mësohet se gomonia nuk afrohej dot më tepër se 60 metra nga bregu, pasi, nën furinë e dallgëve, ajo dhe uniformat që ishin në të rrezikonin të përplaseshin në shkëmb. E vetmja mundësi për të dhënë ndihmë, ka qenë toka. Është kërkuar që të përdoren litarët, për të mundësuar daljen nga plazhi i izoluar nëpërmjet ngjitjes në lartësinë e shkëmbinjve. Por edhe ky ka qenë një moment kur policia ka dalë “zbuluar”, pasi mungonin litarët që përdoren në operacione shpëtimi e evakuimi. Sipas protagonistëve të kësaj ngjarjeje, ka ndodhur që litarët janë zëvendësuar me tuba uji. Kjo sigurisht që ka qenë e sikletshme për evakuimin e grave dhe fëmijëve. Por më së fundi, mësohet se janë evakuuar të gjithë plazhistët.

No comments:

Post a Comment