07 June 2013

Letersia, shume pak maturante me 50 pike

Megjithëse gjimnazistët e cilësuan provimin e letërsisë si një provim të lehtë në nivel mesatar, shumë pak prej tyre rezultojnë të kenë marrë numrin maksimal të pikëve, që janë 50 të tilla. Lajmi konfirmohet nga vetë drejtori për Arsimin Parauniversitar në Ministrinë e Arsimit, Fatmir Vejsiu. Ndërsa ka kaluar rreth një javë nga dhënia e provimit, ka nisur menjëherë proçesi i korrigjimit të testeve dhe nga statistikat paraprake rezulton se shumë pak maturantë janë vlerësuar me numrin maksimal të pikëve. “
Deri tani proçesi i vlerësimit dhe korrigjimit të maturantëve ka ecur mjaft mirë, ne  po procedojmë që të respektojmë edhe afatet ligjore për publikimin e notave. Ajo që është e sigurt është se në datën 12 qershor ne do të publikojmë notat për maturantët për provimin e letërsisë. Nga të dhënat paraprake që disponojmë rezulton se niveli është  i mirë, por pak maturantë kanë kapur 50 pikët maksimale”,- ka bërë të ditur për gazetën, Vejsiu. Për vlerësimin e maturantëve janë ngritur 6 qendra të shpërndara konkretisht në Tiranë, Shkodër, Elbasan dhe Korcë. Në Tiranë janë vendosur 2 qendra vlerësimi ndërsa në rrethet e tjera nga një. Sipas rregullores, testet korrigjohen nga të paktën dy mësues dhe në rastin kur ka vlerësime të ndryshme testi korrigjohet edhe nga një mësues i tretë. Dhe e gjithë kjo është bërë për të shmangur favorizimet e mundshme. Ministria e Arsimit duket e vendosur për të respektuar çdo dispozitë të rregullores për zhvillimin e provimeve të Maturës Shtetërore. Kështu vlerësuesit janë porositur që të marrin masat në rast se vërehen disa kopje me përgjigje të ngjashme që vërtetojnë se maturantët kanë kopjuar. Në të tilla, raste specialistët e MASH pohojnë se do të merren masat që parashikon rregullorja ndaj atyre maturantëve që kanë kopjuar. “Tentativa për kopje mund të ketë pasur, por nuk kemi dijeni. Mbetet që kjo të vërtetohet vetëm pas vlerësimit të tezave. Nëse korrigjuesit vërejnë që në pyetjet me zhvillim ka përgjigje identike mes 2 apo me shumë tezave, do të ketë penalizime në përputhje me rregulloren e Maturës”, - shpjegoi drejtori i Arsimit Parauniversitar, Fatmir Vejsiu. Përsa i përket mënyrës së vlerësimit korrigjuesit janë porositur që nxënësit të mos i ulen pikë në rast se vija logjike që ai ka përdorur për të kthyer përgjigjen e një pyetje i afrohet përgjigjes së saktë. “Përgjigjet do të vlerësohen në bazë të argumentimeve individuale, jo sipas modelit klasik. Do të merren në konsideratë ato përgjigje që janë logjike dhe që i afrohen më tepër përgjigjes së saktë, jo tekstualisht alternativës që parashikohet te çelësi i përgjigjeve të MASH-it”, - bëjnë të ditur specialistët e Ministrisë. Sipas tyre, ndryshimi i skemës së vlerësimit erdhi si pasojë e analizës që i bëhet Maturës Shtetërore vit pas viti dhe për të mos penalizuar ata maturantë që kuptohet që e njohin materialin lëndor, pavarësisht pamundesisë për ta formuluar siç duhet përgjigjen e saktë.

No comments:

Post a Comment