13 April 2013

Luftetari zbret nga kategoria


Luftëtari-Laci  0-3  Eshtë një kapiten i vërtetë, një lider që di ta udhëheqë skuadrën e tij drejt sukseseve. E kemi fjalën për Erjon Vucajn, shkodranin e Lacit, që pas dopietës së javës së shkuar me Bylisin, ka arritur t’i “bëjë me krahë” të tijtë edhe në transfertën gjirokastrite, duke e “fotokopjuar” vetveten. Golat e shënuar prej tij në minutën e 49-të dhe të 85-të (ky i fundit me penallti), shto këtu edhe goditjen “in extremis” të Zefit, kanë përligjur pragmatizmin dhe supremacinë e kurbinasve, që u kanë lejuar terren vendësve, por i kanë kundërsulmuar dhe ndëshkuar me pjekuri.
Tre gola për tri pikë të tjera konfirmuese të momentit mjaft të mirë që po kalon skuadra e Stavri Nicës, që e pozicionojnë atë në vendin e 6-të, duke parakaluar përkohësisht Vllazninë. Te bluzinjtë, veç lojtarëve të përjashtuar apo të larguar, binin në sy edhe mungesa të tjera si Nora, Çaço, Beqiri, por në fakt tej këtyre problematikave të shumta, gjirokastritët vetëkonsumuan një ndeshje të turpshme. Kjo, pasi Luftëtari vendës ia hapi portën Laçit dhe këta të fundit fituan me rezultatin e pastër 3-0. Gjithçka ka ndodhur në pjesën e dytë të takimit, kur bluzinjtë kanë lëshuar në fushë, duke irrituar pa masë tifozët, të cilët kanë lëshuar akuza veçanërisht në drejtim të krerëve të klubit, por pa përjashtuar këtu edhe lojtarët. Në momente të veçanta ndeshja është bërë shumë qesharake, pasi u kthye gati në një humor sportiv. Lojtarët vendës ishin më shumë të interesuar për të pësuar gol, sesa të shënonin në portën e kundërshtarit.
“TEATRI” Pas pushimit të pjesës së parë, në stolin gjirokastrit nuk u panë trajneri Arian Bellai dhe përgatitësi i portierëve, Dritan Kristidhi. Largimi i kreut të pankinës ka krijuar habi te tifozët, por nga ana tjetër ka shtuar dyshimet se në fushë mund të ndodhte diçka, e cila nuk ishte pranuar nga vetë Bellai. Dhe ashtu, si me telekomandë, tifozët gjirokastritë u bënë dëshmitarë të një “estrade”, e cila u pa që në fillimin e pjesës së dytë. Kategoria e Parë është një realitet tashmë edhe për gjirokastritët, edhe pse jo ende matematikisht. Laci ka pozita komode në kampionat, renditet në mesin e artë, por ka dëshmuar se nuk lëshon pe ndaj askujt. Duke qenë se mesjavën e ardhshme do të luajë gjysmëfinalen e kthimit të Kupës së Shqipërisë me Kukësin, kurbinasit do ta kursejnë disi veten në këtë transfertë, edhe pse kanë dalë duarplot.

No comments:

Post a Comment