15 June 2013

Instat: Bie inflacioni


Inflacioni, ka arritur së fundmi në vlerën më të ulët të shënuar që prej një viti. Duke figuruar të jetë kështu, në përputhje me politikat e Bankës së Shqipërisë për mbajtjen e tij nën kontroll, brenda niveleve prej 2-3%. E duke treguar kësisoj se ky tregues i rëndësishëm makro, po ecën në tërësi sipas parashikimeve të bëra mbi ecurinë e ekonomisë së vendit.
Një dukuri e tillë bie në sy gjatë shqyrtimit më të fundit të raportit që Instituti i Statistikave ka publikuar mbi Indeksin e Cmimeve të Konsumit, sipas të cilit, gjatë muajit maj të këtij viti, ky tregues ka shënuar një rënie deri në nivelin prej -1%. Ndërsa në rang vjetor, ndryshimi rezulton në nivelin prej 2.1%, vlerë kjo që tregon realisht edhe kuotimin e inflacionit si të tillë në ekonomi. Kujtojmë se në muajin maj të vitit të kaluar, inflacioni ka qenë në nivelin prej 1.9%, për të vijuar më pas në kuotimin më të lartë të tij gjatë muajit gusht 2012, me vlerën prej 2.8%. Ndërkaq, ulja e inflacionit për muajin maj 2013, siç edhe mund të konstatohet nga shifrat e ofruara prej INSTAT-it, është përcaktuar kryesisht nga grupi “Ushqime dhe pije joalkolike”. Çmimet e produkteve të të cilit kanë rënë në tregje, me nivelin deri -2.5% gjatë muajit maj 2013, krahasuar me muajin pararendës, prillin. Dhe kjo, pikërisht falë rritjes së pranisë të prodhimit bujqësor vendas nëpër tregje. “Ulja më e madhe prej -16% vërehet në nëngrupin “zarzavate, përfshirë patatet”. Këtu mund të përmendim uljen e çmimit të patëllxhanëve me -38.3%, domateve me -37.1%, kastravecëve me -24.7%, specave me -23.4%, sallatës jeshile me -19.1% etj”, citon raporti i INSTAT-it lidhur me një dukuri të tillë. Teksa ka shtuar se ulje cmimesh gjatë muajit maj 2013, janë vënë re edhe në disa nëngrupe të tjera të ushqimeve, ku mund të përmendim uljet në nëngrupin “qumësht, djathë e vezë” me -1.2%, “vajra dhe yndyrna” me -0.7%, “peshk” me -0.2% etj. Kujtojmë ndërkaq, se në tërësi, grupi “Ushqime dhe pije joalkolike” ka një kontribut në normën vjetore të inflacionit, mbi 91%. Kështu që ndryshueshmëria e tyre, paraqet direkt ndikim edhe në luhatjen e treguesit makro-ekonomik të inflacionit. Nga ana tjetër, tabela statistikore e INSTAT-it tregon se rënie gjatë muajit maj të këtij viti kanë shënuar edhe çmimet e aspekteve të tjera jetësore, si banimi, veshja etj. Konkretisht, INSTAT-it deklaron se indeksi i grupit “Veshje dhe kepucë” ka shënuar një ulje prej -0.4%. Dhe se ai i grupit “Qira, ujë, lëndë djegëse dhe energji elektrike”, shënoi një ulje prej -0.1%, ku mund të veçohet ulja e cmimit të gazit të lëngshëm me nivelin prej -1.7%.

No comments:

Post a Comment