04 April 2013

LSI humbet 33 poste


Me pranimin e koalicionit parazgjedhor me Partinë Socialiste, Lëvizja Socialiste për Integrim do të duhet të lirojë postet politike që mbante në qeveri dhe administratën publike.  LSI në total ka marrë nga koalicioni me PD-në drejtimin e rreth 33 posteve të rëndësishme. LSI përfaqësohej në Ekzekutiv me postin e zëvendëskryeministrit, ministrin e Ekonomisë, ministrin e Shëndetësisë dhe ministrin e Jashtme. Po ashtu, forca politike e drejtuar nga Ilir Meta ka 7 poste zëvendësministrash në Ekzekutiv, në disa prej sektorëve më të rëndësishëm, siç janë Ministria e Arsimit, Punës, Transporteve, Ekonomisë, Integrimit dhe Bujqësisë dhe Punëve të Jashtme.
Ndërkohë, nga koalicioni kjo forcë politike ka drejtimin e dy prej drejtorive në varësi të Ministrisë së Transporteve, siç është Agjencia e Trafikut Ajror (ANTA) dhe Drejtoria e Transportit në Tiranë. Drejtori i Korporatës Energjetike (KESH) drejtohet nga anëtarët e LSI-së, po ashtu dhe nëndrejtori i Përgjithshëm i Tatimeve. Marrëveshja katërvjeçare me PD-në i ka dhënë LSI-së dhe drejtimin e dy prefekturave, të Durrësit dhe Fierit. Ndërsa në Shëndetësi, Lëvizja Socialiste për Integrim ka marrë drejtimin e katër drejtorive, siç është QSUT-ja dhe drejtoritë rajonale, në Elbasan, Vlorë, Gjirokastër dhe Lezhë.
Drejtoritë e METE
Drejtimi i Ministrisë së Ekonomisë i ka siguruar Lëvizjes Socialiste për Integrim punësimin e funksionarëve të saj në katërmbëdhjetë drejtori në varësi të METE-s. LSI drejton Agjencinë Kombëtare të Burimeve Natyrore, Agjencinë e Trajtimit të Koncesioneve, Agjencinë Shqiptare të Zhvillimit të Investimeve. Agjencia Kombëtare Bërthamore drejtohet nga anëtarët e LSI-së. Po ashtu dhe Qendra Kombëtare e Regjistrimit, Qendra Kombëtare e Licencimit. Drejtoria e Përgjithshme e Metrologjisë, Drejtoria e Përgjithshme e Akreditimit, Drejtoria e Patentave dhe Markave, po ashtu dhe Drejtoria e Standardizimit. Shërbimi Gjeologjik Shqiptar drejtohet nga LSI, po ashtu dhe Reparti i Inspektimit dhe Shpëtimit të Minierave.

No comments:

Post a Comment