28 March 2013

Norma e interesit, efekt te depozitat


Bankat kanë vendosur të rrisin fitimin duke mos rrezikuar përmes kreditimit, por duke përcjellë politikën monetare të Bankës së Shqipërisë te depozitat.  Pra, nëse ulja në 3.75 për qind e normës së interesit të lekut supozohej që do të nxiste bankat të jepnin më shumë kredi për ekonominë, realisht ato nuk po japin kredi, por kanë ulur interesin e depozitave. Një fakt të tillë e pranon edhe guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani, i cili shprehet se efekti primar është dhënë në tregun e bonove që në një farë mënyre ka lehtësuar borxhin e qeverisë.

Bankat
“Normat e interesit në tregun ndërbankar kanë reflektuar shpejt uljen e fundit të normës bazë dhe yield-et e letrave me vlerë të borxhit publik kanë vijuar të bien. Rënia e normave të interesit është reflektuar më shumë në tregun e depozitave se në atë të kredive, duke sinjalizuar për një sjellje më konservatore të bankave në kreditim dhe për një sektor real më shumë të orientuar drejt kursimit”, tha dje guvernatori, pas mbledhjes së Këshillit të Mbikëqyrjes. Një situatë e tillë me shumë depozita dhe pak kredi ka detyruar bankat që, për të ruajtur balancën, të përcjellë uljen e interesit te depozitat dhe më pak te kreditë, nisur edhe nga numri më i kufizuar i tyre, një efekt ky krejt i kundërt me atë që në fakt synon Banka e Shqipërisë. Gjithsesi, duket se ende nuk është mbyllur cikli i lehtësimit monetar. Në fjalën e tij, guvernatori Fullani la të kuptohet se masa të tjera lehtësuese do të ndërmerren, duke mos përjashtuar këtu edhe një ulje të radhës së normës së interesit të lekut. “Tabloja e zhvillimeve ekonomike e financiare, brenda dhe jashtë vendit, përcakton vazhdimin e ciklit lehtësues të kushteve monetare përgjatë horizontit kohor të politikës monetare. Një politikë e tillë krijon kushtet e nevojshme për respektimin e objektivit të inflacionit në afat të mesëm, duke mbështetur njëkohësisht rritjen e kërkesës agregate dhe shfrytëzimin e plotë të kapaciteteve prodhuese në ekonomi”, tha guvernatori.

No comments:

Post a Comment