29 March 2013

Ligji I ri per sigurimin e detyruar


Çdo person i pajisur me librezë shëndetësore do të përfitojë shërbim shëndetësor falas në spitale. Pacientët do të kenë mundësi të denoncojnë paratë nën dorë që u kërkohen nga mjekët apo infermierët. Pak ditë pas hyrjes në fuqi të ligjit të ri për sigurimin e detyrueshëm shëndetësor, ISKSH-ja jep garanci se do të kontrollojë e ndëshkojë çdo rast abuzimi. “Skema e sigurimeve shëndetësore, përmes ligjit të ri, garanton mbulim universal të popullatës”,tha drejtoresha e ISKSH-së.
  Përveç personave ekonomikisht aktivë që sigurohen, sigurimi i detyrueshëm shëndetësor mbulon gjithashtu kategoritë në nevojë, si pensionistët, invalidët, veteranët, personat që përfitojnë ndihmë ekonomike, të papunët; gratë shtatzëna, shtetasit e huaj azilkërkues në Republikën e Shqipërisë. Shteti paguan kontributet edhe për fëmijët nën moshën 18 vjeç, nxënësit e studentët nën moshën 25 vjeç, si dhe kategori personash që përcaktohen me ligje të veçanta. “Për të gjitha këto kategori, si dhe për ato kategori që do të përcaktohen me ligje të veçanta, paguan shteti.
Te gjitha këto kategori, praktikisht e gjithë popullata në Republikën e Shqipërisë, përfiton shërbim shëndetësor pa pagesë, mjafton që çdokush të marrë dokumentet përkatëse për statusin të cilit i përket”, sqaroi drejtoresha e ISKSH-së.Libreza e shëndetit përfitohet duke paraqitur dokumentet që vërtetojnë statusin e një individi.Me ligjin e ri do të kontraktohen nga Fondi i Sigurimeve Shëndetësore (sot ISKSH-ja) edhe spitalet private apo shërbime të caktuara të këtyre spitaleve, për popullatën që do të zgjedhë këtë shërbim. “Por kontratat do të lidhen pas procesit të akreditimit, pasi ne si Fond do të kontraktojmë shërbime të sigurta dhe cilësore, duke nxitur njëherësh konkurrencën mes dhënësve të shërbimit”. Ligji i ri mundëson për herë të parë paketat e shërbimeve mbi kritere të qarta mjekësore dhe sociale për të gjitha nivelet e ofruesve, dhe veçanërisht për shërbimin spitalor, të cilët do të jenë të detyruar të ofrojnë paketat që kanë nënshkruar në kontratë dhe që financohen nga Fondi. Si rrjedhim, rritet aksesi i pacientëve ndaj shërbimeve që kanë nevojë. Për herë të parë në ligjin për fondin përfshihet subvencionimi i pajisjeve mjekësore që nevojiten për përmirësimin e cilësisë së jetës së pacientëve, p.sh. karrocat për invalidët.Fondi, duke qenë blerësi i vetëm strategjik i shërbimeve shëndetësore, do të përdorë mekanizmat përkatës për futjen e metodave të reja të pagesave. Do të ketë indikatorë matës për cilësinë e punës së mjekëve edhe në shërbimin spitalor.Fondi do të ketë stabilitet financiar dhe kjo garantohet me ligj, i cili nuk lejon krijimin e borxheve. Fakti që shteti do të kontribuojë për popullsinë jo aktive e cila zë rreth 76% të fondeve që shpenzon Fondi, e bën akoma më të garantuar këtë stabilitet.

No comments:

Post a Comment