05 March 2013

Gjykata liron te prangosurit e tritolit



Lirohen në sallën e gjyqit, dy personat e arrestuar nga Policia e Gjirokastrës, të dyshuar si autorët e shpërthimit të tritolit në lokalin e Shefki Karagjozit, mëngjesin e 1 marsit. Gjyqtari Guxim Boci, ka liruar në sallën e gjyqit dy të pandehurit Alqi Rraku dhe Aleks Isufi të dy nga fshati Kalasë i Delvinës, të cilët në bazë të argumentave të servirura nga avokati i të pandehurve Bernard Aliko dhe prokurori i cështjes Spartak Cocoli, nuk figurojnë fare të jenë ata përgjegjësit e vërtetë të hedhjes në erë të lokalit mëngjesin e 1 marsit në Pazarin Karakteristik të Gjirokastrës. Prokurori i cështjes, ka servirur materialet e grumbulluara nga ana e Policisë së Gjirokastrës e cila arrestoi dy të rinjtë që dyshohet se kanë qenë ata, autorët e vendosjes së masës së eksplozivit prej 200 gramësh në portën hyrëse të lokalit të Shefki Karagjozit.
Prokurori Cocoli, ka kërkuar që personat të lihen të lirë dhe të ndiqen në gjendje të lirë nëse gjenden të tjera prova që të implikojnë të dy të rinjtë delvinjotë, si autorë të vendosjes së eksplozivit. Ndërsa avokati Aliko, pasi është dhënë verdikti nga ana e gjyqtarit Boci, ka ecur edhe më tej, duke kërkuar apelim ndaj këtij vendimi ku dy klientët e tij, kanë qëndruar me pa të drejtë në dhomat e izolimit për tre ditë me radhë pa pasur asnjë bazë ligjore dhe aq më tepër pa pasur një provë qoftë edhe të vetme, cka kërkon penalizim të organit të policisë për arrestimin me pa të drejtë të dy të rinjve. E ndërsa shpërthimi që tronditi zonën muzeale të Gjirokastrës tre ditë më parë, ngeli përfundimisht pa autorë, i ngelet për detyrë Policisë së Gjirokastrës të kërkojë dhe prangosë autorët e vërtetë të këtij shpërthimi ndërkohë që akuzat e vetë pronarëve të lokalit dhe godinës ndaj Policisë së Gjirokastrës nuk kanë rreshtur pasi sipas tyre, Policia është treguar e mefshët dhe jo profesionale në gjetjen e autorëve të vërtetë të këtij shpërthimi.  

No comments:

Post a Comment