27 February 2013

Bashkia Memaliaj debitore ndaj CEZ



Prej të premtes, Bashkisë së Memaliajt në rrethin e Tepelenës, i është suprimuar rryma elektrike nga Kompania Cez Shpërndarje. Debia e pashlyer ka rezultuar e pa-tolerueshme nga ana e drejtuesve të rinj të Cez-it të cilët nga ana e tyre, kanë vepruar menjëherë, duke ndërprerë energjinë elektrike e për pasojë, paralizuar të gjithë veprimtarinë e administratës së kësaj njësie vendore, si dhe shërbimet e ndryshme ndaj komunitetit. Zyra e Gjendjes Civile, është më e prekura nga kjo ndëprprerje, si dhe ajo e pajisjes me karta identiteti dhe pasaporta biometrike.
Me dhjetëra banorë të Memaliajt dhe zonës përreth, janë paraqitur të premten dhe të hënën pranë këtyre zyrave, për t’u pajisur me dokumente përkatëse, por në vend të tyre, ata janë ndeshur me zymtësi në ambjentet e tyre.Për nënkryetarin e Bashkisë së Memaliajt Behari Lula, ndëprerja e rrymës elektrike, është ndërmarrë në kushtet e asnjë lloj paralajmërimi, takimi apo diskutimi mes dy palëve, cka do të shmangte situatën e krijuar dhe gjetjen e një kompromisi të mundshëm. Rreth 70% e debisë prej 62 milionë lekësh, është e trashëguar nga administrata demokrate në këtë bashki para 8 majit të 2011, ndërkohë që në mënyrë periodike, borxhet janë shlyer hap pas hapi vitin e kaluar, me mundësitë që ka vetë bashkia aktuale e cila ka mungesë të prekshme të granteve qeveritare dhe të ardhurat vendore.
Deri në rilidhjen përfundimtare të rrymës elektrike, veprimtaria e administratës bashkiake në Memaliaj, do të qëndrojë e paralizuar dhe kësisoj edhe shërbimi ndaj qytetarëve. Ndërkohë që CEZ nga ana e vet, kërkon shlyerjen e plotë të debisë së prapambetur deri në qindarkën e fundit, duke mos lejuar shlyerjen hap pas hapi.  

No comments:

Post a Comment