16 March 2014

Kokaina del trahana




Del trahana pakoja e deklaruar si 1 kilogram kokainë. Ka dështuar operacioni i zhvilluar mëngjesin e djeshëm në pikën kufitare të Kakavijës, kur u zbulua në autobusin e linjës Athinë-Tiranë një qese e dyshuar se kishte brenda lëndë narkotike. Burimet zyrtare të Policisë së Gjirokastrës bënë të ditur dje, në një njoftim për shtyp, se ishte bllokuar 1 kg drogë në autobus, e futur në një qese me mbishkrimin e emrit të personit që do e priste. Mes saj ndodheshin dhe disa centro e sende të tjera, të cilat kishin rrethuar pakon.“Pas ushtrimit të kontrollit fizik në bordin e autobusit, policët kufitarë kanë vijuar inspektimin në pjesët e bagazhit të autobusit ku kanë gjetur një çantë me mbishkrimin E.S. Brenda saj është gjetur një pako, e mbështjellë me ambalazhin e një firme sheqeri, brenda së cilës ndodhej droga e dyshuar
. “Menjëherë efektivat e Policisë Kufitare kanë njoftuar specialistët e Sektorit Kundër Narkotikëve dhe grupin hetimor, të cilët kanë mbërritur menjëherë në vendngjarje. Ata kanë bllokuar pakon e dyshimtë dhe kanë shoqëruar për në ambientet e Drejtorisë së Policisë së Qarkut Gjirokastër dy drejtuesit e autobusit, pasi çantën e kishin marrë si porosi për ta transportuar nga Athina në Tiranë”, bëri të ditur Policia. Nisur nga fakti që emri ishte i shënuar lart janë krijuar kontakte me Policinë e Tiranës, e cila ka arrestuar menjëherë personin që kishte emrin mbi çantë, ndërsa u shpall në kërkim një tjetër shtetas. Sipas hetimeve të para të Policisë së Gjirokastrës, autobusi është përdorur për trafikun e drogës. Një person dyshohej të kishte futur pakon në çantë dhe u kishte lënë si porosi shoferëve të autobusit që ta dorëzonin në Tiranë, në emrin që kishin shënuar mbi çantë. Ndërsa dy shoferët e autobusit janë lënë të lirë nga Policia e Gjirokastrës për të vazhduar rrugën drejt Athinës, së bashku me 32 pasagjerët në bord.
Në fakt, kanë qenë hetimet e kryera në Tiranë, që zbardhën dhe brendinë e pakos. Nga verifikimi i lëndës brenda qeses së sheqerit ndodhej jo kokainë, por trahana. Dyshimet e para lindën pas këmbënguljes së shtetasit E.S., i cili deklaronte se nuk kishte asnjë porosi në emër të tij. Sipas ekspertëve, ngjyra e verdhë në kafe ka bërë që punonjësit e Antidrogës së Gjirokastrës të dyshojnë se bëhet fjalë për drogën e shtrenjtë. Pas këqyrjes së imtësishme është dhënë përfundimi se nuk kemi të bëjmë me kokainë, por trahana që vinte nga Greqia. Në orët e pasdites, i arrestuari nën akuzën e trafikut të drogës është lënë i lirë, ndonëse hetimet vazhdojnë me intensitet. Burime të Policisë thanë dje se ka dyshime që pakoja e trahanasë të ketë qenë provokim ose një mbulim i një sasie droge që ka arritur të depërtojë në vendin tonë me të njëjtin autobus. Aktualisht provat janë të pakta, ndonëse është bërë dërgimi në laborator i të gjitha sendeve për të zbuluar nëse ka shenja gishtash të lëna nga autorët e dyshuar.

No comments:

Post a Comment