23 January 2014

Shtepia e Musine Kokalarit

                                                                                    
Kjo është banesa ku është rritur Musine Kokalari, një prej figurave më intelektuale të shekullit të kaluar dhe disidentja që i bëri ballë epokës komuniste. Banesa në fjalë, po i nënshtrohet një rehabilitimi të plotë jo nga shteti, por nga vetë të afërmit e Musinesë. Kjo për shkak të indiferencës së treguar nga ana e autoriteteve shtetërore të cilët për gati 20 vjet, nuk janë treguar aspak dashamirës, për mirëmbajtjen e saj, qoftë edhe me financime të pjesshme. Prej disa javësh, të afërm dhe familjarë të mëvonshëm të Musine Kokalarit të cilët konsiderohen një numër relativisht i lartë për shkak të shtrirjes së fisit në vende të ndryshme të Botës, kanë ofruar të holla, për ringritjen e banesës tri katëshe, e cila lartësohet në pjesën e sipërme të lagjes Palorto.
Ndërtimi i kësaj banese, daton mbi dy shekuj më parë me karakteristikat e llojit otoman të asaj kohe. Sot, banesa gëzon statusin e monumentit të kulturës i kategorisë së parë. Investimi në të, do të mundësojë rikonceptimin e banesës në një pamje krejt të ndryshme nga ajo cfarë ka qenë deri para disa viteve, por duke ruajtur elementët karakteristik identifikues origjinal të saj. Punimet në ambjentet e brendshme dhe ato sipërfaqësore, kanë kohë që po kulmojnë në nxjerrjen e elementëve të dikurshëm që kanë qenë të mbuluar nga erozioni kohor, apo dhe riparimet e herëpas'hershme të ndërmarra. Një ide e hershme për të kthyer një aneks të banesës, në një muze tradicional familjar, duket se po merr jetë nga vetë familjarët e Musinesë. Mbesa e disidentes Kokalari, Arjeta, shprehet se muzeu do të ketë të gjithë elementët identifikues të familjes dhe gjithashtu, pjesë të historisë së hershme të saj.

No comments:

Post a Comment