10 July 2013

SONDAZHI I TIA


Transparency International Albania ka prezantuar të martën barometrin global të korrupsionit, një sondazh i realizuar përmes 114,300 personave në 107 vende të botës. Ndërkohë përsa i përket Shqipërisë, rreth 66 % e të anketuarve në vendin tonë mendojnë se korrupsioni është rritur gjatë 2 viteve të fundit. Ndërkohë 25 % e të anketuarve ka qëndruar i pandryshuar dhe 9 % mendojnë se ka pësuar rënie. Ky nivel perceptimi, i njëjtë edhe për Kosovën, i rendit dy shtetet shqiptare në fund të klasifikimit për Ballkanin Perëndimor, ku në Bosnie&Hercegovinë 65 % mendojnë se është rritur, në Maqedoni 41 %, në Kroaci 21 %, në Serbi 8 %. Barometri ka treguar se në shumë vende,
institucionet e krijuara për të luftuar korrupsionin dhe krime të tjera, janë vetë jo të besueshme. 36 vende e shohin policinë si jo të besueshme, e ndërsa sistemi gjyqësor konsiderohet si institucioni më i korruptuar në 20 vende të botës. Në një shkallë nga 1 në 5, ku 1përfaqëson aspak të korruptuar, dhe 5 shumë të korruptuar, institucionet më të korruptuara në Shqipëri perceptohet të jenë gjyqësori dhe sistemi shëndetësor, të ndjekura nga partitë politike, sistemi arsimor, legjislativi, policia etj. “Qeveritë duhet ta konsiderojnë në mënyrë serioze këtë thirrje të qytetarëve kundër korrupsionit dhe të përgjigjen me veprime konkrete për rritjen e niveleve të transparencës e përgjegjshmërisë”, thekson Huguette Labelle, Drejtoreshë e Bordit të Transparency International. Vlerësimet e njerëzve mbi përkjekjet e liderëve të tyre për të ndaluar korrupsionin janë më keq se përpara fillimit të krizës financiare në vitin 2008 ku 31 % e të anketuarve mendonin se përpjekjet e qeverive të tyre për të luftuar korrupsionin ishin efektive. Ky tregues ka rënë në 22 %. Në Shqipëri, 58 % e të anketuarve mendojnë se veprimet e qeverisë në luftën kundër korrupsionit kanë qenë joefektive, 30 % as efektive as joefektive dhe vetëm 12 % janë të mendimit se kanë qenë efektive. Nga ana tjetër, pyetjes se a besojnë se njerëzit e zakonshëm mund të sjellin ndryshim në luftën kundër korrupsionit, 59 % e të anketuarve në Ballkanin Perëndimor mendojnë që po, ku nivele të larta vihen re për Shqipërinë dhe Kosovën (respektivisht 75 % dhe 79 % e të anketuarve besojnë se njerëzit janë kontributorë kryesorë të ndryshimit për ta luftuar fenomenin. Por vetëm 51 % e shqiptarëve priren të denoncojnë një rast korruptiv, kjo nisur nga arsyeja e një besimi të ulët tek institucionet duke menduar se rasti nuk do të gjejë zgjidhje (50%) ose patur frikë nga pasojat e denoncimit (26%).

No comments:

Post a Comment