03 July 2013

Bankat japin me pak kredi


Bankat po japin më pak kredi se më parë, sidomos në monedhën vendase. Një dukuri e tillë konfirmohet nga të dhënat më të fundit të referuara prej Bankës së Shqiperisë, sipas të cilave, nëse totali i kredisë se re të akorduar në lekë gjatë 5-mujorit të parë 2012 ka qenë në vlerën totale prej 11.410 miliardë lekësh, gjatë së njëjtës periudhë të këtij viti kjo vlerë është ulur në 9.428 miliardë lekë.
Çka flet qartë për një trend rënës të kreditimit si ndaj bizneseve, edhe ndaj individëve. I shfaqur ky edhe nëse do të bënim një krahasim mujor të të dhënave. Kështu, gjithmonë sipas BSH-se, kredia e re në lekë me afat deri në 6 muaj për muajin maj 2013 ka rezultuar në nivelin prej 2.367 miliardë lekësh, nga 2.370 të tilla në muajin prill 2013.Sikundër kanë rënë edhe kreditë e reja në lekë, me afat 1-3 vjet, përkatësisht në 688 milionë gjatë majit 2013, nga 699 në muajin prill. Por edhe ato me afat 3-5 vjet, në 775 milionë lekë gjatë majit, nga 1.172 në muajin prill 2013. Ku rritje duket se kanë pësuar vetëm kreditë e akorduara për periudhën e shlyerjes 6 muaj-1 vit, me 3.768 milionë lekë në muajin maj, nga 2.371 të tilla në muajin prill. Shifër kjo që gjithsesi, nuk ka mundur të përmbysë raportin e pakësuar të kredive në tërësi, nga viti në vit. Ndërkaq, kjo situatë nuk duket të jetë e njëjtë për kreditë e reja të akorduara në monedhën evropiane. Sepse nëse gjatë 5-mujorit të parë të vitit të kaluar, sasia totale e tyre kanë qenë në vlerën prej 70 milionë eurosh, gjatë 5-mujorit respektiv të këtij viti, ky nivel ka arritur në vlerën e 104 milionë eurove. E megjithatë, në nivel mujor, kreditë në këtë lloj monedhe kanë pësuar disa rënie, si për shembull, ato në afat 3-5 vjet, në 4 milionë euro gjatë muajit maj 2013, nga 5 të tilla në muajin e mëparshëm. Kurse ato me afate të tjera, kanë pësuar rritje, ku më e dukshmja, mund të konstatohet ajo e afatit mbi 5 vjet, në 42 milionë euro në muajin maj 2013, nga 17 të tilla gjatë muajit pararendës, prill. Sakaq, sa u përket kredive të reja të akorduara në monedhën amerikane, të dhënat e Bankës së Shqipërisë, referojnë se ato kanë qenë në nivelin prej 28 milionësh në 5-mujorin e një viti më parë, kurse sivjet gjatë periudhës janar-maj, totali i tyre ka qenë përkatësisht në nivelin e vetëm 11 milionë dollarëve. Çka flet qartë për një trend rënës vjetor të kredive të reja në këtë lloj monedhe. I konfirmuar ky edhe në nivel mujor, konkretisht, me një rënie në vetëm 8 milionë dollarë për kreditë e reja me afat 6 muaj deri në 1 vit, nga 13 të tilla që ka qenë ky tregues në muajin pararendës, prill. Apo kreditë me afat 1 vjetor në dollarë, që kanë qenë vetëm 1 milionë të tilla në muajin maj 2013, nga 2 të tilla në muajin prill.

No comments:

Post a Comment