18 June 2013

Zbulohen çdo dite raste me Hiv


Ka qenë i pazakontë për specialistët e Institutit të Shëndetit Publik zbulimi i njëpasnjëshëm i rasteve të prekura me virusin HIV në jug të vendit. Vetëm në Sarandë, në 5 muajt e fundit janë zbuluar 4 raste të reja të infektuar me SIDA. Në total, bashkë me të prekurit e vitit të kaluar, arrin në shtatë vetëm në këtë rrethPothuajse të gjithë janë emigrantë apo kanë pasur jashtë një prej familjarëve.

Në total, numri i të prekurve në të gjithë vendin që nga fillimi i vitit ka arritur në 49 raste, prej të cilëve 2 janë fëmijë. Gjithçka e konfirmojnë nga  burime të sigurta nga ISHP. Sipas tyre, mosha e të infektuarve është nga 25 deri në 40 vjeç dhe pjesa më e madhe kanë mësuar rastësisht për sëmundjen pas shfaqjes së shenjave klinike. Disa kanë tentuar të japin gjak pa ditur se janë mbartës të virusit të rrezikshëm. Pasi u janë bërë analizat, është konfirmuar infektimi. “Të paktën 3 vitet e kaluara nuk kemi pasur shumë raste nga emigrantët. Përgjithësisht virusi ka qarkulluar brenda vendit. Përbën shqetësim për ne sidomos dy muajt e fundit zbulimi i rasteve në Sarandë, apo në ndonjë zonë tjetër në jug të vendit. Janë emigrantë, të cilët janë rikthyer përfundimisht nga Greqia dhe më pas kanë mësuar për sëmundjen”, thonë specialistët. Sipas tyre, ndonëse rreth 95% e popullatës ka dijeni se çfarë është virusi HIV dhe si transmetohet, vetëm një pjesë e vogël preferon të përdorë prezervativin për t’u mbrojtur. “Niveli i ndërgjegjësimit në këtë pikë është i ulët. Ekziston psikologjia, përgjithësisht te meshkujt shqiptarë, se virusi nuk i kërcënon ata dhe se janë të përjashtuar nga rreziku. Ndërkohë që pas marrëdhënieve jashtëmartesore të pambrojtura, e njëjta gjë ndodh edhe në familje, duke u transmetuar sëmundjen bashkëshortëve”, thonë specialistët e ISHP-së.
Sa u përket 2 fëmijëve të infektuar, të cilët u janë shtuar 16 rasteve të mëparshme, ISHP bën apel për domosdoshmërinë e një programi kombëtar që t’i bëjë të detyrueshme analizat e SIDA-s gjatë shtatzënisë. “Ligji nuk e parashikon që kjo analizë të jetë e detyrueshme, por është e nevojshme që të kapen që në shtatzëni për të evituar transmetimin vertikal nga nëna te fëmija”, thonë specialistët e ISHP-së.Numri i të prekurve ka arritur në 599 raste ,ndërkohë që priten të shtohen edhe më tej deri në fund të vitit.Në Shqipëri numri i personave të infektuar me HIV ,ka ardhur duke u rritur në mënyrë progresive.Gjatë 2012 rastet e reja arritën në 75,numri më i madh që nga viti 1993,kur u zbulua rasti i parë.Kjo tendencë ,krahasuar me numrin e popullsisë e bën Shqipërinë,vendin e parë në Ballkan për nivelin e përhapjes.Më shumë se gjysma e rasteve të zbuluara ka qenë në stadin e sëmundjes dhe akoma më keq,jo pak të shoqëruara edhe me semundje të tjera si tuberkulozi apo sifilizi.Testimi vullnetar mbetet në nivele tepër të ulta,pjesa më e madhe e të infektuarve pranojnë se nuk e dinë se nga e kanë marrë sëmundjen dhe për një kohë të gjatë mund ta kenë transmetuar edhe tek të tjerët.

No comments:

Post a Comment