20 February 2013

28 Shkurti afati i fundit i linjave me Greqine



Administratorë të linjave të transportit ndërkombëtar të udhëtarëve me Greqinë, kryesisht me Athinën në jug të vendit prej disa kohësh jetojnë me shqetësimin se në të ardhmen nuk do të mund të funksionojnë ashtu si derimë tani. Rreth 20 shoqëri të transportit ndërkombëtar me Greqinë, kryesisht me Athinën, si në Sarandë, Vlorë, Himarë, Gjirokastër, Korçë e Berat bëjnë publike një fakt shqetësues. Pas disa shtyrjesh 28 shkurti është afati i fundit ku ministria e transportit të Greqisë i kërkon asaj të Shqipërisë të mos licensojë linjat e jugut të vendit tonë me Athinën, duke prishur në këtë mënyrë marrëveshjen e bërë në 2006 mes dy vendeve për funksionimin e transportit ndërkombëtar të udhëtarëve mes linjave të jugut të vendit. Shoqëria greke e transportit të brendshëm KTEL lihet e lirë të funksionojë në linjat Sarandë - Igumenicë e Janinë dhe anasjelltas, ndërsa nuk lejohen linjat Sarandë, Gjirokastër, Korçë, Himarë e Berat drejt Athinës.

  Që nga shkurti i vitit të kaluar shoqëritë shqiptare të jugut të vendit me Athinën janë lenë të palicensuara, ndërkohë që nga pala greke kërkohet që të merret ekskluziviteti i këtyre linjave nga shoqëri greke. Nisur nga ky shqetësim administratorë të këtyre shoqërive i bëjnë apel Ministrit shqiptar të Transportit, Sokol Olldashi, të mos firmosë projektin grek ku kërkohet që linjat e jugut shqiptar me Athinën të jenë ekskluzivitet i shoqërive greke. Investimet e shoqërive të linjave të jugut shqiptar me Greqinë i kalojnë mbi 4 milionë euro, shprehet Shpëtim Ahmeti, administrator i Shoqërisë “Ahmeti Travel” Shpk në Sarandë.

No comments:

Post a Comment