29 July 2013

Zjarr ne tepelene


Pyjet shndërrohen sërish në objektivin e barinjve të papërgjegjshëm duke u vënë atyre zjarrin. Në orët e mbasdites së të dielës, 10 ha pyje në zonën e Turanit në rrethin e Tepelenës, janë përpirë nga flakët e zjarrit të cilat kanë qenë mjaft agresive, të ndihmuara edhe nga era e fortë. Temperatura e ajrit në momentin e rënies së zjarrit konsiderohej gati 38 gradë Celsius. Dëshmitarë në vendngjarje, janë shprehur jashtë kameras , se zjarrvënësit e pyllit të Veliqotit, kanë qenë dy barinj të zonës të cilët, janë përsëritës në këtë vepër pasi vitin e kaluar,
kanë qenë sërish zjarrvënës të pyjeve dhe kullotave të zonës. Policia ka mbërritur në vendngjarje por nuk është afruar për shkak të terrenit malor, ndërkohë që reparti zjarrfikës i Tepelenës, po ashtu e ka pasur të pamundur, depërtimin në pyll. Zjarri ka qenë gati 1 km larg fshatit më të afërt Veliqot cka përjashton rrezikun e përfshirjes së zjarrit tek banesat. Flakët e zjarrit kanë vijuar me intensitet të plotë, djegijen e gati 10 ha pyje në zonën e Turanit dhe të Veliqotit, që i përmbledh Komuna Qendër Tepelenë. Zona në fjalë, mjaft herë është prekur nga zjarret të cilat nuk kanë qenë asnjëherë aksidentale, por të vendosura qëllimisht nga keqbërës. Policia e Tepelenës, dyshon se zjarrvënësit e pyllit të Veliqotit, mund të jenë dy vëllezër të cilët edhe vitin e kaluar, ishin sërish fajtorë të vënies së zjarrit, në kullotat e Matohasanajt në Komunën e Lopësit por që kurrë asnjëherë, nuk kanë marrë dënimin e merituar sipas ligjit. Policia është vënë në ndjekje të barinjve keqbërës të cilët deri në orët e mbasdites së të dielës, nuk janë kapur.

No comments:

Post a Comment