27 July 2013

URA E BIBOS MBI DRINO


Ura e Bibos ose më saktë një nga tre harqet e saj të dikurshme, ende ka mbetur jashtë listës së monumenteve të kulturës. Propozimi i bërë 4 vjet më parë nga Drejtoria Rajonale e Kulturës Kombëtare, ka mbetur pa përgjigje nga Këshilli Kombëtar i Restaurimit. Ky hark ure, është një nga pjesët më të plota të dhjetë gjurmëve të urave të dikurshme që kanë qenë ndërtuar mbi lumin Drino. Sipas specialistit të monumenteve Vladimir Qirjaqi, ura i përket një periudhe 2 shekuj e gjysëm më parë. Ajo është një nga dëshmitë më të hershme të përpjekjeve të popullsisë së qytetit të Gjirokastrës
dhe rajonit të Lunxhërisë, për t'u lidhur me njëri-tjetrin. Ndryshimi i drejtimit të rrjedhës së lumit Drino katër vjet më parë, e la urën në tokë të thatë, ndërkohë që një tjetër ndryshim i rjedhës pas rreshjeve të shumta të këtij viti, e lidhi sërish urën me ujin e lumit Drino.Duket qartë degradimi gradual i këtij harku që i ka rezistuar mrekullisht kohës së gjatë. Kjo urë historike, ende ka mbetur jashtë listës së monumenteve të kulturës. Sipas zotit Qirjaqi, jeta e këtij lumi, ka përcaktuar në fakt jo vetëm jetën e banorëve të kësaj lugine, por edhe të qytetërimeve. Perandori romak Adriani, ngriti një qytet buzë këtij lumi, duke tentuar të vendosë emrin e tij mbi lumin dhe luginën e tij. Por ishte vetë lumi Drino i cili përmbysi qytetarimin Adrianopolit për të rivendosur sundimin e tij. Rikthimi i lumit Drino tek ky hark ure, është një mesazh edhe për ne që merremi me këtë punë edhe për fëmijet tanë që duan të dinë diçka nga kjo histori që edhe kur ne e harrojmë, është lumi ai që n’a e kujton historinë tonë-shprehet Qirjaqi.

No comments:

Post a Comment