02 August 2013

Mediat Greke per Qeverine Rama “Fillimi i keq”

“Qeveria e re shqiptare pa asnjë vorioepirot”, kështu e titullon shkrimin e saj një nga gazetat më të njohura greke, Kathimerini”, e cila shkruan ndër të tjera, se PBDNJ u ankua, që zoti Rama zgjodhi të mos përfshijë asnjë ministër me origjinë greke në qeverinë e tij, përkundër marrëveshjes parazgjedhore, që parashikonte portofol ministror për një politikan voriepirot. Ndërkaq, sipas “Kathimerini”, sfida më e rëndësishme e qeverisë Rama është tani të luftojë korrupsionin, që lidh udhëheqjen politike të vendit me tregtinë e drogës, trafikimin e qënieve njerëzore, lojërat ilegale të fatit dhe kontrabandën e karburantit. “Një plejadë gjyqtarësh, policë e gazetarë gjenden në “listën e pagave” të organizatave kriminale, siç është përmendur në një raport të vitit 2010 nga Ambasada
Amerikane në Tiranë. Ambasada vlerëson se Shqipëria humbet çdo vit 300 milionë dollarë në taksa të papaguara vetëm nga kontrabanda e karburantit”, thekson gazeta. Shkrimi vëren se Edi Rama duhet të imponojë reforma radikale në sektorin publik për t'u përballuar me “kancerin” e korrupsionit. Kjo, megjithatë, do të kërkojë aleanca dhe mbështetje nga Perëndimi, siç është cekur në një artikull në “Huffington Post”. “Qëllimi i deklaruar i Ramës për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar duhet të marrë mbështetje nga Evropa, e cila do të mund të ofrojë ekspertizën e saj për policinë shqiptare”, vëren gazeta. “Fillimi i keq”, e titullon gazeta “Ethnos” analizën e saj për qeverinë e zotit Rama. “Kurrë marrëdhëniet e Tiranës me minoritetin grek nuk kanë qenë të lehta, por duket se me udhëheqësin e ri shqiptar Edi Rama këto marrëdhënie u testuan, para se ai të marrë detyrën si kryeministër”, shkruan gazeta. Sipas “Ethnos”, “Rama, edhe pse zgjodhi të bashkëpunojë me partinë e minoritarëve PBDNJ, në përbërjen e qeverisë së tij nuk përfshiu asnjë anëtar të pakicës greke, gjë që ndodh për herë të parë që prej rënies së regjimit komunist. Në këtë zhvillim, megjithatë, nuk është e parëndësishme dhe braktisja e plotë e PBDNJ dhe Omonias nga Athina zyrtare”, përfundon analiza.

No comments:

Post a Comment