15 June 2013

K.SH.H Fushata agresive dhe incidente


Komiteti Shqiptar i Helsinkit pritet të publikojë së shpejti një raport mbi monitorimin e procesit parazgjedhor. Nëpërmjet një deklarate ky institucion ka bërë publik disa prej gjetjeve të këtij raporti. Fillimisht KSHH ka monitoruar funksionimin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për të cilin konstaton se ka marrë shpeshherë vendime të njëanshme dhe të politizuara. “Jemi të mendimit se gjatë veprimtarisë së tij ky organ ka manifestuar, në disa raste,
qëndrime të njëanshme dhe të politizuara, si p.sh në kuadër të miratimit të numrit të zonave zgjedhore dhe mandateve për secilën prej tyre. Pozicionimi politikisht i anëtarëve të KQZ krijoi pamundësi vendimmarrjeje dhe si pasojë dy çështjet e para u zgjidhën, përkatësisht, nga Kolegji Zgjedhor dhe Kuvendi. Përsa i përket vendimit të tretë ai është kritikuar, si jo ligjor, si nga vëzhguesit ndërkombëtarë, ata vendas, përfshi dhe K.Sh.H. Siç dihet, anëtarët e KQZ-së propozohen nga partitë politike të shumicës dhe opozitës parlamentare dhe përfundimisht zgjidhen nga Kuvendi, duke bërë betimin përpara këtij organi. K.Sh.H mendon se anëtarët e KQZ janë të detyruar të veprojnë në mënyrë të pavarur e të paanshme, duke zbatuar vetëm Kushtetutën dhe ligjin. Në këtë kontekst ne kemi shprehur publikisht mendimin se nuk duhej t’i ndërpritej mandati, para kohe, anëtarit të KQZ-së të propozuar nga Partia LSI dhe i emëruar nga Kuvendi, sepse KQZ nuk duhet konceptuar dhe as të funksionojë, në asnjë rast, si organ politik. Kjo do të rrezikonte vendimmarrjen ligjore dhe të paanshme të tij, siç dhe ka ndodhur realisht”, thuhet në raport. K.Sh.H vlerëson se situata e krijuar në KQZ, nga mos zëvendësimi i 3 anëtarëve “mund të shoqërohet me pasoja të dëmshme, e të rënda për mbarëvajtjen e zgjedhjeve, certifikimin e tyre dhe arritjen e standardeve për zgjedhje të lira e të ndershme, prandaj duhet riparuar sa më parë”. Sipas KSHH ka pasur probleme edhe me publikimin e listave të zgjedhësve. “Për procesin zgjedhor dhe zgjedhësit, në veçanti, përgatitja dhe publikimi i listave zgjedhore është me shumë rëndësi. Ne kemi monitoruar publikimin e ekstrakteve të përbërësve zgjedhor, që sipas ligjit duhet të shpalleshin çdo muaj, duke filluar nga 3 janari 2013. Nga verifikimet tona në vend, ekstraktet e sipërpërmendura, ose nuk u publikuan në afatin e caktuar, ose publikimi i tyre nuk u bë sipas mënyrës së parashikuar nga Kodi Zgjedhor”, thekson KSHH. “Ka indicie dhe arsye të besohet se ka ende pasaktësi në listat e zgjedhësve dhe në mënyrë të veçantë, shqetësues është fakti se ende ka zgjedhës, që duke mos pasur adresë të saktë banimi, ose sepse QV e tyre ndodhet në një mjedis privat, pa adresë të saktë, nuk dinë ende se ku duhet të shkojnë për të votuar”, vëren KSHH në raport. Ndërsa duke u ndalur tek fushata zgjedhore, KSH bën me dije se ajo jo vetëm ka filluar 5-6 muaj më parë se afati i caktuar në ligj, por edhe ka qënë e shoqëruar me incidente. Sipas KSHH ka tëdhëna se, administrata dhe institucionet arsimore detyrohen të jenë pjesë e saj.

No comments:

Post a Comment