21 November 2013

UDHEZIMI I MASH


Ushtrimi i dhunës ndaj nxënësve, ngacmimi seksual, por edhe zhvillimi i kurseve me pagesë janë arsye të forta që një arsimtar të humbasë vendin e punës, qoftë drejtor, nëndrejtor apo mësues. Të gjitha arsyet se kur një arsimtar rrezikon vendin e punës janë të përcaktuara në tri udhëzime të posaçme të Ministrisë së Arsimit dhe Sportit, të cilat mbajnë datën 12.11.2013, ku përcaktohen qartazi procedurat e emërimit dhe të largimit nga puna të mësuesve, të nëndrejtorëve, por edhe të drejtorëve të institucioneve publike të arsimit.
DREJTORËT &SHKARKIMI Një maturë e "dobët" do t'i kushtojë vendin e punës drejtorëve në shkolla. Në udhëzimin nr. 57 të Ministrisë së Arsimit, ndër të tjera sqaron se notat e dobëta të nxënësve gjatë provimeve të maturës janë një ndër shkaqet që mund t'u kushtojë vendin e punës drejtuesve të shkollave në arsimin parauniversitar. Më tej në udhëzim detajohen kritere më të rrepta për emërimet e reja në radhët e drejtuesve, kritere të cilat prekin si titujt e formimit, ashtu dhe eksperiencën profesionale. Po ashtu udhëzimi parashikon edhe raste të tjera shkarkimi, që kanë të bëjnë me rastet e shkeljeve flagrante, ose kur ka një vendim të formës së prerë nga gjykata kompetente për ngjarjet në vijim: "Ka falsifikuar dokumente zyrtare, ka nxitur vartësit e tij të falsifikojnë dokumente zyrtare, ka ushtruar dhunë fizike ndaj nxënësve ose punonjësve të institucionit, ka ngacmuar seksualisht nxënës ose punonjës të institucionit, ka përvetësuar fonde financiare ose materiale të institucionit, ka marrë ryshfet, ka dhënë kopje ose ka organizuar kopje në provimet kombëtare (provimet e lirimit ose të maturës), ka ndërhyrë në përzgjedhjen e teksteve nga mësuesit e institucionit që drejton, si dhe ka organizuar ose lejuar pjesëmarrjen e mësuesve ose nxënësve gjatë procesit mësimor, në veprimtari partiake. Situatë kjo që në vitet e shkuara ka ndodhur rëndom, por në asnjë rast nuk është dhënë asnjë lloj ndëshkimi, teksa kemi parë nxënësit e shkollave të mbushin sheshet gjatë mitingjeve të ndryshme partiake. Me hyrjen në fuqi të ligjit të arsimit parauniversitar, sikundër është vendosur për emërimet e reja të mësuesve, edhe drejtuesit e shkollave duhet të konkurrojnë me anë të dosjes për të fituar postin e punës.

No comments:

Post a Comment