26 March 2013

Moti i keq shtyn plotesimin e formularit A1



MASH ka vendosur të shtyjë deri më 31 mars afatin për plotësimin e formularit A1. Sipas Agjencisë Kombëtare të Provimeve, deri tani këtë formular e kanë plotësuar rreth 34 mijë nxënës, ndërkohë që kanë mbetur rreth 150 pa aplikuar. “Brenda javës këta maturantë do të kenë mundësinë të plotësojnë formularin”. Vonesat me A1 u krijuan për shkak të motit te keq por edhe publikimit me vonesë të koeficienteve të lëndëve me zgjedhje dhe ato të shkollave të larta.
Në lidhje me mbartjen e notave të provimeve të dhëna më parë, MASH ka bërë me dije se të gjithë maturantët që kanë dhënë lëndët me zgjedhje dhe kanë marrë notë kaluese në njërën prej tyre, kanë mundësi ta mbartin atë dhe të japin vetëm një provim tjetër me zgjedhje.
Kandidatëve që kanë fituar dëftesë pjekurie përpara vitit 2006 dhe duan të konkurrojnë në shkollat e larta, u njihen vetëm provimet e detyruara. Në përllogaritjen e pikëve për sistemin meritë-preferencë, për lëndën që rijepet provim, merret koeficienti që ajo ka këtë vit.Për herë të parë këtë vit në 210 mjediset ku do të zhvillohet do të vendosen bllokues për valët e celularëve. Ky vendim është marrë nga MASH pas një sërë akuzash dhe sinjalizimesh për kopje nga vetë nxënësit. Korrigjimi do të bëhet nga dy duar vlerësuesish. Provimet do të nisin më 31 maj dhe do të përfundojnë më 29 qershor. Testet për provimet e detyruara kanë nga 25 pyetje ndërsa ato me zgjedhje nga 20 pyetje secila.Rreth 5000 kandidatë për në shkollat e larta do të mund të bëhen pjesë e garës duke ridhënë lëndët me zgjedhje. Të gjithë ata që nuk kanë mundur të ulen në auditorë, vijnë nga jashtë vendit apo janë pajisur me dëftesë pjekurie vite më parë, do të kenë një shans të dytë.Nga data 15 prill këta kandidatë do të kenë mundësi të plotësojnë formularin A1-Z, i përshtatur nga MASH posaçërisht për këtë kategori. “Me anë të këtij formulari ata do të mund të caktojnë dy lëndë me zgjedhje, të cilat do t’i japin provim. Kush ka lëndë, rezultatet e të cilave dëshiron t’i mbartë, mund ta bëjë një gjë të tillë”.Sipas MASH, formulari A1-Z do të plotësohet gjithashtu online. Ditët në vijim AKP do të vërë në dispozicion udhëzimin për plotësimin e këtij formulari. “Numri i tyre në krahasim me aplikantët e formularit A1 është më i ulët, gati 5-6 herë. Maturantët që plotësojnë formularin A1Z janë maturantët që nuk janë të ulur në bankat e shkollës së vitit akademik, por që vijnë nga vitet e kaluara, ose maturantët që vijnë nga jashtë shtetit”

No comments:

Post a Comment