16 April 2013

Raporti: Ndertime pa leje te regjistruara si "Monumente"


Shtimi i ndërtimeve pa leje, shënimi i tyre në hartë si monumente të kategorisë së dytë, mungesa e specialistëve, fondeve, planeve të veprimit, moskoordinimi i punëve…  janë disa nga problemet që specialistët e Organizatës Ndërkombëtare të Konservimit të Monumenteve, ICOMOS, kanë hasur në qytetet e Gjirokastrës dhe Beratit. Pas inspektimit të nëntorit të vitit 2012, të dërguarit e ICOMOS-it kanë hartuar një raport prej 50 faqesh me problemet që kanë hasur në terren dhe propozimet që i bëhen palës shqiptare.
Qysh në krye të raportit, hartuesja e këtij raporti, Eleni Maistrou, sqaron se mbështetur në shqetësimin e shprehur nga Komiteti i Trashëgimisë Botërore, qëllimi i misionit në “qendrat historike në Berat dhe Gjirokastër” ishte vlerësimi i gjendjes aktuale të ruajtjes së kësaj trashëgimie dhe të progresit të bërë nga autoritetet përkatëse kombëtare dhe lokale, në implementimin e vendimeve të World Heritage Committee. Gjithashtu, një nga detyrat e këtij misioni ishte të analizonte nëse ekzistonte një rrezik potencial që do t’i përfshinte këto dy qytete në Listën e Pasurisë Botërore në Rrezik. Sipas raportit, një rrezik i tillë nuk ekziston për momentin, por problemet janë të mëdha dhe qeveria shqiptare këshillohet të ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme, përpara fundit të 2014-s, me qëllim që këto dy qytete të mos përfshihen në “listën e zezë” të trashëgimisë.
Gjendja aktuale
Një nga problemet e ngritura edhe nga UNESCO është ai i shtimit të ndërtimeve pa leje në këto dy qendra muzeale. Në bazë të raportit të ICOMOS-it, “janë bërë përpjekje për të minimizuar ndërtimet e paligjshme në dy qendrat historike të Beratit dhe Gjirokastrës dhe është bërë lista e ndërtimeve pa leje në zonën e mbrojtur. Por sistemi i kontrollit të ndërtimeve pa leje vazhdon të mos jetë eficient. Në Gjirokastër mungon një plan aksioni për këtë çështje, ndërsa ka një të tillë në Berat”.Të dërguarit vërejnë se qeveria po përballet me shumë vështirësi që lidhen me mungesën e fondeve dhe të burimeve njerëzore. Ka vetëm disa arkitektë dhe inxhinierë të trajnuar për restaurim, si dhe mjeshtërit e fushës. “Problemet janë më të rënda në Gjirokastër, pasi burimet e afta janë shumë të kufizuara në raport me nevojat restauruese që kanë ndërtesat historike, sidomos gjatë dy viteve të fundit. Shumica e pronarëve të këtyre shtëpive nuk kanë mundësi financiare për konservimin apo restaurimin e tyre. Si rrjedhojë, shumë shtëpi janë të braktisura dhe janë subjekt i rrënimit. Aq më tepër që disa shtëpi kanë shumë pronarë të shpërndarë në gjithë botën, të cilët është e vështirë të gjenden”. Gjatë inspektimit dhe bashkëpunimit me institucionet përkatëse në këto dy qytete, atyre u janë vënë në dispozicion listat me monumente të kategorisë së parë dhe të dytë për të dy qytetet muze, si dhe dokumentacioni fotografik përkatës, por “një problem serioz përbën fakti që, të gjitha ndërtesat që nuk i përkasin kategorisë së parë, tregohen në hartë si monumente të kategorisë së dytë, madje edhe ato ilegale”. Gjithashtu vërehet se secili prej qyteteve muze është menaxhuar ndarazi nga institucionet dhe drejtuesit lokalë nuk janë mjaftueshëm të ndërgjegjshëm mbi rëndësinë e përparësinë e Planit të menaxhimit të pasurisë botërore. Ndërsa shihet dhe një moskoordinim i punëve dhe i planveprimeve të niveleve të ndryshme qeverisjesh.

No comments:

Post a Comment