07 October 2013

Dhunohen per here te dyte vellezerit


Vëllezërit e moshuar Haxha në fshatin Arrëz e Madhe në Tepelenë, sërish kanë rënë pre e grabitjes dhe e keqtrajtimit. Hyda dhe Sali Haxha përkatësisht 82 dhe 84 vjec barinj të jetës, janë dhunuar dhe grabitur nga një i ri prej fshatit ku ata banojnë. Alarmin e kanë dhënë banorët e fshatit Arrëz e Madhe, fshati më malor në rrethin e Tepelenës, pjesë e Komunës Luftinjë.
Ngjarja ka ndodhur në orët e vona të mbasdites, teksa ka pllakosur errësira në fshat ku energjia elektrike mungonte prej disa orësh. Sipas banorëve të cilët kane gjetur përdhe dy vëllezërit fatkeq, këta të fundit, rënkonin si pasojë e plagëve të marra nga dhuna që pati ushtruar një person ende i paidentifikuar nga ta. Misteriozi, kishte hyrë në banesën dy katëshe të dy vëllezërve dhe menjëherë nën kërcënimin e fjalëve dhe të një arme të ftohtë, u kërkoi atyre, të hollat që kishin me vete. Sipas Hyda Haxhës, i riu, kishte me vete një levë në dorë dhe u kërkonte të dorëzonin të gjitha lekët që kishin në dispozicion dhe më pas edhe tërheqjen e akuzës ndaj Marenglen Shehut, dhunuesit të tyre në 24 korrik të këtij viti.  I riu keqbërës, pasi ka gjetur të hollat, i është hakërryer fillimisht me fjalë dy vëllezërve dhe pastaj i ka dhunuar ata duke i goditur në vende të ndryshme të trupit. Dhuna ka shkaktuar plagë të rënda në trupin e Hyda Haxhës dhe të Sali Haxhës aq sa kishte shkaktuar hemoragji të madhe në pjesën e sipërme të fytyrës. Banorët e fshatit Arrëz e Madhe, janë ngritur në këmbë dhe kanë lajmëruar forcat e rendit të cilat si pasojë e terrenit të vështirë malor dhe rrugës së gjatë, kanë mbërritur pas 2 orësh. Ndërkohë që është lajmëruar edhe autoambulanca e cila deri në orën 21:30, nuk kishte mbërritur ende në vendngjarje. Sipas banorëve, gjendja shëndetësore e dy vëllezërve Haxha, është mjaft kritike për jetën. Më 24 korrik të këtij viti, sërish dy vëllezërit, ranë pre e grabitjes dhe dhunimit nga dy vëllezërit Emiliano dhe Marenglen Shehu. Njëri prej tyre Marenglenin, policia e arrestoi si autor të grabitjes dhe dhunës së ushtruar në këtë datë dhe qëndron ende në dhomat e paraburgimit në pritje për tu gjykuar nga drejtësia. Mësohet se ngjarja e sotme, ka lidhje me atë që ndodhi më 24 korrik, pasi dhunuesi i sotëm, ndër të tjera, i pati kërkuar dy pleqve, të tërhiqnin denoncimin në ngarkim të Marenglen Shehut. Vëllezërit Shehu, sipas policisë, kishin masakruaar, tredhur dhe djegur në pjesë të ndryshme të trupit dy të moshuarit dhe më pas i kishin grabitur 100 mijë lek. Në dëshmitë e tyre, ata nuk pranuan të ishin autorë, ndërkohë që dy gra dëshmitare, vërtetuan se ata ishin personat e fundit që ishin parë duke dalë nga banesa e vëllezërve Haxha, fill pas dhunimit të tyre një ditë më parë. 

No comments:

Post a Comment