23 February 2013

SHKB arreston nje kontrollor ne Kakavie

Dy kontrollorë të pikave të kalimit kufitar në Portin e Durrësit dhe në Kakavijë u arrestuan nga SHKB-ja, pasi dyshohet se në këmbim të parave regjistronin kthime false të shtetasve shqiptarë nga vendet e BE-së. Për të shmangur përllogaritjen e qëndrimit të tyre në vendet e zonës “Shengen”, që është deri në 90 ditë, efektivët e Kufirit regjistronin fiktivisht shtetas të ndryshëm shqiptarë sikur kishin hyrë në Shqipëri brenda afatit të caktuar, në një kohë që ata rezultojnë ende jashtë shtetit. Shoferi i autobusit të linjës së kryeqytetit grek luante rolin e sekserit, duke u dhënë policëve pasaportat e personave që ndodhen ende në vendet e BE-së, sa për t’i regjistruar në kufi si të futur në Shqipëri, ndërsa policët merrnin paratë nga të interesuarit, shuma që variojnë nga 300 deri në 1 mijë euro.
Sipas burimeve zyrtare të Ministrisë së Brendshme, Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm ka arrestuar oficerët e Policisë Kufitare dhe Migracionit, Mustafa Meta, 56 vjeç dhe Rudi Gaxhaj, 40 vjeç. Gjithashtu është vënë në pranga edhe shoferi i shoqërisë “Inter-Lines”, Nertil Sula, 29 vjeç. Ata akuzohen se në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë kryer “korrupsion pasiv nga persona që ushtrojnë funksione publike”, si dhe “falsifikim të vulave, stampave ose formularëve”.

No comments:

Post a Comment