Sport


Pique: Barcelona nuk ka frikë nga Bajerni 

22/04/2015
Gerard Pique  ka paralajmëruar Bajernin e Mynihut se Barcelona nuk është e frikësuar nga një përballje e mundshme në gjysmëfinale me gjermanët. 

Katalanasit arritën të kalojnë në gjysmëfinale të Champions League pas rezultatit të përgjithshëm 5-1 ndaj PSG-së, ndërsa Bajerni e arriti kualifikimin në ndeshjen e dytë me një fitore 6-1 ndaj Portos, e cila fitoi ndeshjen e parë 3-1.Barcelona dhe Bajerni janë përballur për herë të fundit në sezonin 2012-2013, kur spanjollët u turpëruan duke u mposhtur me rezultatin e përgjithshëm 7-0. Atëherë, Bajerni drejtohej nga Jupp Heynckes, ndërsa Barcelona nga trajneri aktual i gjermanëve,Guardiola. “Nuk mendoj se e kemi të nevojshme të shmangim Bajernin në gjysmëfinale, pasi kur je në këtë fazë të gjithë kundërshtarët janë të një niveli shumë të lartë dhe duhet të japësh maksimumin, madje duhet të kesh edhe pak fat”, tha mbrojtësi i Barcelonës. 28-vjeçari nuk la pa uruar edhe ish-trajnerin e tij te Barcelona, Pep Guardiola për fitoren ndaj Portos.

Rummenigge, i befasuar nga fitorja ‘tenistike’ e Bajernit: Ishte e mrekullueshme 

22/04/2015

Karl-Heinz Rummenigge, administrator i deleguar i bavarezëve, e përshkroi fitoren 6-1 të ekipit të tij ndaj Portos si një “mrekulli”. 

Pas disfatës 3-1 në Portugali u duk se Bajerni do të largohej para kohe nga Europa këtë sezon, por gjithçka u përmbys që në 45 minutat e para në “Allianz Arena”, kur vendasit shënuan 5 herë në portën e miqve.Rummenigge ishte befasuar nga performanca e Bajernit në këtë takim, pasi luajti me mungesa të shumta dhe tejet të rëndësishme si, Bastian Schweinsteiger, Arjen Robben, Franck Ribery dhe Medhi Benatia, për arsye dëmtimi.“Ne dëshmuam diçka të mrekullueshme”, tha legjenda e Bajernit në një koment të shkurtër për gazetarët. 

Messi dëmtohet me Argjentinën 

25/03/2015
Pikërisht kur dukej se ishte rikthyer në formë me Barcelonën, Leo Messi është dëmtuar në këmbën e djathtë gjatë grumbullimit me Argjentinën. 

Sulmuesi ka realizuar disa vizita në Uashington (aty ku po stërvitet kombëtarja bardhekaltër) që fatmirësisht kanë përjashtuar probleme muskulare. Për këtë arsye, Messi nuk do të kthehet në Barcelonë, por do të vazhdojë të qëndrojë me shokët e kombëtares.Argjentina do të luajë dy miqësore ndaj El Salvadorit dhe Ekuadorit në kuadër të përgatitjeve të Kupës së Amerikës që do të zhvillohet këtë vit në Kili.Trajneri Gerardo Martino mendohet se nuk do e aktivizojë yllin e skuadrës në takimin e parë dhe do i japë disa minuta në të dytin.


Alonso gati për Sepangun

24/03/2015
Në një komunikatë për shtyp, ku njofton se “është kënaqësi të shohësh sërish Alonson në timonin e njëvendëshes së tij MP4/30 në Malajzi, pas përfundimit me sukses të vizitave mjekësore të FIA-s, duke nisur që nga e enjtja e 26 marsit”, McLaren jep edhe disa detaje të pazbuluara deri më tani mbi incidentin e spanjollit, në testimet e Montmelosë, që e detyroi atë të mungonte në Çmimin e Madh të Australisë. 

“Fernando - lexohet në deklaratën e publikuar - ka ndjekur një program të rreptë stërvitjeje, është monitoruar nga specialistë për t’u siguruar mbi një rikthim të sigurt të tijin. Ai ka diskutuar edhe me inxhinierët e skuadrës, duke analizuar të dhënat e incidentit. E duke qenë se nuk kishte asgjë evidente nga telemetria, ashtu sikurse asgjë jonormale mbi rikonstruksionin e makinës, Fernando ka kujtuar se ndiente njëfarë peshe të rëndë në timon përpara incidentit. Menjëherë pas këtij zbulimi, skuadra vendosi të shtojë sensorë të tjerë në makinë për të rritur mbledhjen e të dhënave”.“Pesha e rëndë” e timonit mund të jetë një e dhënë bazë për të hedhur dritë mbi incidentin e pësuar pak javë më parë, i cili edhe sot e kësaj dite mbetet i mbërthyer nga misteri.Megjithatë, lajmi pozitiv është që Alonso do të garojë në Çmimin e Madh të Malajzisë, pasi ka kaluar me sukses testimet mjekësore në Kembrixh të Britanisë së Madhe, për të verifikuar nëse i ka kaluar traumat e incidentit të pësuar më 22 shkurt, apo jo.Në atë garim për testimet e fundit dimërore, pasi u përplas në kthesën 3 të Montmelosë në rrethana ende misterioze, ai pësoi një tronditje cerebrale, madje edhe humbje të përkohshme të kujtesës. Mjekët anglezë e kanë testuar Alonson në lidhje me kujtesën dhe reflekset e tij. Por, pilotit spanjoll do t’i duhet të kalojë edhe një tjetër test me mjekët e FIA-s, takim që është lënë për të enjten në Sepang, përpara se të marrë konfirmimin zyrtar për garim.


Bayern, në alarm për Robben. Do të mungojë disa javë. Mbetet jashtë Holandës 

24/03/2015
Bayern Munchen është në gjendje “alarmi” sa i përket dëmtimit të Arjen Robben. 

Holandezi la fushën e lojës pas minutës së 24-t të ndeshjes me Borussia M’gladbach, të humbur 0-2 në “Allianz Arena”, për shkak të një tërheqjeje muskulare. Shqetësimi është i madh, sepse Arjenit mund t’i duhen disa javë ndalesë. Drejtori sportiv i Bayernit, Matthias Sammer ka pranuar shqetësimin për lojtarin. “Jam i shqetësuar që do t’i duhet të pushojë për disa javë”. Karl-Heinz Rummenigge, administrator i deleguar i bavarezëve, është thuajse i shokuar. “Dëmtimi i tij është i rëndë dhe tepër shqetësues, po aq sa edhe humbja jonë”.Ndërkohë, Pep Guardiola nuk bën lojëra fjalësh. Mungesa e holandezit është e rëndë, por tekniku spanjoll shprehet: “Robben na mungoi edhe dje, do të na mungojë edhe këto javë. Do të na mungojë më shumë ndaj kundërshtarëve që luajnë me 10 lojtarë të tërhequr në zonën e tyre të rreptësisë. Në këto raste, një lojtar i klasit të Robben që di të driblojë lojtarët është i vështirë të gjendet”.Gjatë këtij sezoni, Robben ka qenë “arma shtesë” e bavarezëve me 17 gola të shënuar dhe 8 asiste të dhëna në Bundesliga. Shpresa mbetet që ai të jetë i gatshëm për gjysmëfinalet e Championsit, më 5 dhe 6 maj.Holandezi është lënë gjithashtu edhe jashtë listës së kombëtares holandeze për sfidat kundër Turqisë dhe Spanjës. Lajmi njoftohet nga faqja zyrtare e Federatës Holandeze të Futbollit, ku shkruhej se “Arjen Robben ka informuar trajnerin e kombëtares Guus Hidding për pamundësinë e tij për të qenë i pranishëm për dy ndeshjet e radhës”. 


Allegri: Ishte një natë e bukur, tashmë nuk do të ndalemi 

19/03/2015

Pas fitores spektakolare ndaj Dortmundit në Gjermani me rezultatin e pastër 0-3, trajneri i Juventusit, Massimiliano Allegri, është shafaqur tejet entuziast, duke u shprehur se ekipi i tij tashmë nuk do të ndalet. 

“Ishte një natë e bukur. Rezultati i kësaj mbrëmje erdhi si pasojë e një pune të bërë nga të gjithë së bashku.  Ne hodhëm një hap të rëndësishëm, por tashmë nuk duhet të ndalemi, por të shohim përpara, duke pritur hedhjen e shortit. Ky ekip duhet të jetë i vetëdijshëm për cilësitë që ka dhe unë mendoj se janë të gjitha mundësitë që të bëjmë edhe më mirë se sonte”, u shpreh Allegri pas ndeshjes në “Iduna Park”.Përveçse një sukses të Juventusit, ai e vlerësoi fitoren e bardhezinjëve edhe si një rezultat shumë të rëndësishëm për futbollin italian.Trajneri Allegri ka marrë edhe falenderime nga Giuseppe Marotta, drejtori i Juventusit, i cili nuk nguroi të shprehej për mediat menjëherë pas ndeshjes. “Ne jemi në vendin e parë në Serinë A, me një avantazh të konsiderueshëm nga ndjekësit, tashmë hodhëm edhe një hap të rëndësishëm në Champions, me një ndeshje spektakolarë, një meritë të madhe për këto suksese shkon për trajnerin Allegri, i cili në fillim të sezonin u prit me skepticizëm”, tha Marotta. 


Ibrahimovic: Lojtarët e Chelsea-s reaguan si fëmijë 

12/03/2015
Sulmuesi i Paris Saint-Germain, Zlatan Ibrahimovic ka kritikuar lojtarët e Chelsea-s për reagimin e tyre pas ndërhyrjen ndaj Oscar, për të cilën suedezi u ndëshkua me kartonin e kuq. 

“Kur pash kartonin e kuq, mbeta i shtangur. Nuk e di se çfarë e shtyu gjyqtarin e ndeshjes të merrte atë vendim, ndoshta ai pa diçka tjetër. Por reagimi i lojtarëve të Chelsea-s ishte vërtet i turpshëm. Menjëherë pasi unë mora kartonin e kuq ata rrethuan arbitrin dhe nuk e di se ç’kërkonin. Mu duk sikur kisha rreth meje 11 fëmijë dhe u tërhoqa duke u larguar”, ka thënë sulmuesi i PSG. Ai e la ekipin e tij me 10 lojtarë pas ndërhyrjes ndaj Oscar, të cilët gjyqtari e vlerësoi si të ndëshkueshme me kartonin e kuq, megjithëse ishte e diskutueshme.Megjithatë, për Ibrahimovic-in i rëndësishëm ishte kualifikimi, për të cilën ai vlerëson maksimalisht shokët e tij.“Ishte një paraqitje e mahnitshme, sepse ne luajtëm me një lojtar më pak, madje edhe përtej 90 minutave. Ata luajtën me zemër dhe treguan cilësi të mëdha”, përfundon Ibra. 

Mourinho akuzon kundërshtarin për lojë të rëndë dhe të pandershme 

12/03/2015

Pas eliminimit nga Champions League trajneri i Chelsea-s, Jose Mourinho ka kritikuar lojtarët e PSG, për lojë të rëndë. 

“Ata bënë të njëjtën gjë si në Paris, duke zhvilluar lojë të rëndë e me simulime të shumta për të vonuar lojën. Për shembull, pasi shënuan golin e dytë, nuk ka pasur më lojë, pasi ata mbetën duke festuar, simulime e lëndime. Ata ndaluan ndeshjen që ne të mos kishim mundësi të reagonim në 5 minutat e fundit”. Megjithatë portugezi e ka vlerësuar kundërshtarin dhe ka thënë se largimi me kartonin e kuq të Ibrahimovic ndikoi pozitivisht të francezët.“Ne kishim lojën në duart tona dy herë, por ata ishin më të fortë se ne. Ata e përballuan më mirë presionin e lojës. Pasi mbetën me 10 lojtarë presioni për të fituar ra mbi ne dhe kjo ndikoi negativisht te lojtarët e mi”, tha Mourinho. 


Briatore kërkon me ngulm: Të sqarohet incidenti i Alonsos 

11/03/2015
Aksidenti i Fernando Alonsos vazhdon të jetë objekt diskutimesh në ambientet e Formula 1. 

Ai që flet në lidhje me këtë çështje është Flavio Briatore, i cili kërkoi shpjegime për aksidentin e pësuar nga spanjolli në testimet e Barcelonës. “Fernando është në gjendje të mirë - tha Briatore për Sky. - Shpresojmë që FIA ose McLaren të japin shpjegime për aksidentin sa më shpejt të jetë e mundur. Alonso qëndroi në spital dy ditë për të bërë të gjitha ekzaminimet mjekësore të mundshme dhe rezultatet ishin negative. Nëse do të kishte ndonjë problem, kjo do të ishte vënë re. Mjekët e këshilluan që të mos garojë në Melbourn, vetëm për të mos rrezikuar”.Flavio Briatore foli edhe për ndryshimet e pësuara te Ferrari, që këtë vit do të garojë me Sebastian Vettel dhe Kimi Raikkonen.“Vettel është një pilot shumë i aftë, ndër më të mirët e botërorit - vijoi Briatore. - Dominoi duke pasur në dispozicion një makinë fituese, por ta krahasosh me Schumacher është ende herët. Pati shumë probleme me makinën e sezonit të kaluar, që nuk ishte në nivelet e mëparshme, gjë që nuk ndodhi me Ricciardon. Te Ferrari po flitet shumë për Vettel, si njeriu i skuadrës, por edhe Schumacher e Alonso ishin të tillë. Është entuziazmi që në skuadër ka ardhur një pilot i ri. Edhe Raikkonen duket së është bërë më i këndshëm falë Vettel”.

Cristiano: Çfarë turpi! Nuk flas për mediat deri në fund të sezonit 

11/03/2015

Cristiano Ronaldo shpëtoi Realin e Madridit nga turpi i eliminimit në Champions League, por ishte shumë i nevrikosur me lojën e skuadrës së tij në humbjen 3-4 ndaj Schalke 04. 

Pas ndeshjes, autori i dy golave me kokë i tha mediave në zonën mikse se nuk do të prononcohej më deri në fund të sezonit.Njoftimi i portugezit vjen pas disa imazheve të ‘Canal Plus’ që e tregonin fituesin e Topit të Artë duke i thënë francezit Benzema “Çfarë turpi, çfarë turpi!”, në një moment që loja kishte ndaluar.Dy janë mundësitë: ose Cristiano po ankohej për lojën e skuadrës, ose ishte i nevrikosur për faktin që publiku i Bernabeut po vërshëllente pa pushim lojtarët e skuadrës madrilene.

Seria A, Juventusit i mjafton Pogba, Lacio merr vendin e tretë

10/03/2015
Ka mjaftuar goli i francezit Pogba që Juventusi të mposhtë 1-0 Sasuolon në “Juventus Stadium”. 

Kampionët e Italisë kanë vuajtur shumë, por falë perlës së mesfushorit në fundin e ndeshjes arritën të dalin me 3 pikë nga sfida e të hënës dhe të çojnë në 11 pikë diferencën me Romën e vendit të dytë.Në sfidën tjetër Lacio shkatërroi 4-0 Fiorentinën dhe i rrëmben Napolit vendin e tretë në klasifikim.Një dominim total i skuadrës së drejtuar nga Pioli, e cila zhbllokoi rezultatin në minutën e 6 me Biglia. Vendasi dyfishuan rezultatin me Candreva-n në minutën e 65, ndërkohë që në fund ishte gjermani Klose ai që vulosi rezultatin me dy golat e tij dhe regjistroi fitoren e katërt radhazi të Lacios në kampionat. 


Anceloti: BBC nuk preket  nuk ndryshojmë identitetin e Realit 

10/03/2015

Sonte do të mësohen dy çerekfinalistet e para të Champions League. 

Reali Madridit pret Schalke në “Santiago Bernabeu” në një atmosferë ndoshta më të keqen e viteve të fundit. Reali thuajse është i kualifikuar pas ndeshjes së parë, e cila përfundoi 0-2 për spanjollët në Gjermani. Trajneri i Realit, Anceloti shprehet optimist se pas humbjes me Bilbaon në kampionat ku lëshoi edhe kreun, ekipi do të rikthehet sonte te fitorja bindëse.“Kur një skuadër nuk arrin të marrë rezultatet e duhura, dihet që përgjegjësia është e trajnerit 100%, ndërsa kur fiton nuk ka asnjë meritë. Megjithatë unë besoj se sot do të rikthehemi te fitorja dhe për këtë kërkoj edhe mbështetjen e tifozëve për të kaluar këtë moment negativ që po kalojmë. Duhet të bëjmë kujdes përballë Schales se ende nuk ka përfunduar asgjë, pasi kemi edhe 90’ për të zhvilluar”.Më pas italiani në drejtimin e Realit është ndalur edhe te shterpësia e treshes Ronaldo, Bale, Benzema dhe ndeshja vendimtare me Barcelonën. “Ronaldo, Bale dhe Benzema mbeten të padiskutueshëm. Rënia e skuadrës është në nivel të përgjithshëm dhe nuk ka lidhje vetëm me këta 3 lojtarë. E gjithë skuadra nuk po e ndihmon sa duhet fazën sulmuese. Ne nuk do ndryshojmë identitetin.Ndeshja në "Camp Nou" do të jetë shumë e rëndësishme për ne, por më parë duhet të marrim atë që kërkojmë ndaj Shalkes në Champions dhe me Levanten” deklaroi ai. Ndërsa në krahun tjetër ka folur për mediat edhe Di Matteo, që ende nuk i ka humbur shpresat për kualifikim duke tentuar që të përfitojë nga momenti negativ i Realit. “Për t’u kualifikuar duhet që ne të jemi në ditën tonë më të mirë dhe të shpresojë që Reali të mos shfaq formën e tij më të mirë.Skuadrat motivohen dyfish në Champions League. Nuk e di nëse eksperienca ime mund ta ndihmojë Schalken"tha ai. Në ndeshjen tjetër mes Portos dhe Baselit, shanset që të kalojë më tej i ka më të shumta Porto, pasi luan në shtëpi, por nuk mund të përjashtohet surpriza e zviceranëve. Ndërsa nesër do të zhvillohen Bayern- Shaktar dhe Chelsea-Paris Saint Germain.


Arrestohet ish-lojtari i Man. City-t për marrëdhënie seksuale me të mitur 

03/03/2015
Ish-mesfushori i Manchester City-t, aktualisht lojtari i Sunderland, Adam Johnson, është arrestuar nga policia për “marrëdhënie seksuale me të mitur”. 

Mosha aktuale e vajzës nuk është bërë e ditur, por sipas raporteve paraprake mendohet se është më pak se 16 vjeçe. Johnson, i cili më parë ka luajtur për Manchester City-n, gjithashtu edhe me kombëtaren e Anglisë, është një nga lojtarët më të mirë të Sunderland. 27-vjeçari do të udhëtonte ditën e martë me ekipin për ndeshjen e radhës, por u arrestua nga policia në Durhan. I menjëhershëm ishte edhe reagimi i klubit të Sunderland, të cilët dolën me një deklaratë ku thuhej se lojtari është pezulluar. 


Nuk ka fitues në “Olimpico”, Roma-Juventus përfundon në barazim 

03/03/2015
Superndeshja e javës së 25-të në Serinë A, Roma-Juventus ka përfunduar me rezultatin e barabartë 1-1. 

Një 90-minutësh me një ritëm tejet të lartë është zhvilluar në “Olimpico”, ku vendasve i duhej patjetër një fitore për të mbajtur gjallë shpresat për titull, por kampionët e Italisë arritën të merrnin 1 pikë nga kjo ndeshje edhe pse ishin shumë afër fitores.Edhe pse në pjesën e parë loja ishte e hapur dhe me raste për të dyja ekipet, rezultati mbeti i pandryshuar, ndërsa gjithçka u vendos në 45 minutat e dyta.I përhershmi, Carlos Tevez, ishte autor i golit të parë për Juventusin në minutën e 62-të. Argjentinasi ekzekutoi në mënyrë perfekte një goditje dënimi nga rreth 25 metra. Ky gol u realizua vetëm dy minuta pasi kryeqytetasit u ‘tradhtuan’ nga greku Torosidis, i cili u largua me kartonin e kuq.Edhe pse të gjendur me një lojtar më pak, lojtarët e Garcia-s gjetën forca dhe arritën të shënonin golin e barazimit, në minutën e 78-të me Keita.Pas kësaj ndeshje, diferenca mes vendit të parë dhe vendit të dytë vazhdon të mbetet 9 pikë, ku Juventusi ndodhet në kuotën e 58 pikëve, ndërsa Roma me 49 pikë. 

Pirlo do te mungoje ndaj Romes

26/02/2015
Andrea Pirlo braktisi Juventusin që në minutën e 37-të të pjesës së parë, si rrjedhojë e një dëmtimi muskulor, i cili frenoi fantazistin 36-vjeçar dhe e detyroi atë që t’i linte vendin argjentinasit Roberto Perejra. 

Sipas indikacioneve të para të stafit mjekë- sor bardhezi, problemi është i natyrës muskulore, ndonëse fakti që lojtari e ndjeu vetë dëmtimin, ka përhapur frikë se mungesa e tij mund të jetë disi e gjatë. I sigurt është fakti që numri 21 do të humbë supersfidën e të hënës në kampionat, kundër Romës në kryeqytet. Por çështja konsiston në faktin nëse Andrea Pirlo do të mund të rikuperohet për takimin e kthimit më 18 mars, në Dortmund. Vetë trajneri Masimiliano Alegri pas ndeshjes theksoi se për momentin nuk ka asnjë ide mbi rëndësinë e dëmtimit. “Lojtari do t’u nënshtrohet nesër (sot) vizitave mjekësore të specializuara dhe vetëm pas tyre do të mësojmë kohët e riaftësimit të Pirlos. Ndeshjen me Romën e ka humbur, por shpresojmë që ta kemi për duelin e kthimit në Ligën e Kampioneve”.


Botërori në dimër, FIFA refuzon kompensimet 

26/02/2015
Zhvillimi i botërorit të Katarit në muajt nëntor-dhjetor, ashtu siç edhe ka propozuar një komision i posaçëm i ngritur për këtë qëllim do të çorodisë një sërë kampionatesh kombëtare në mbarë botën. 

Në kohën kur klubet dhe ligat kombëtare kanë kontrata të lidhura me sponsorë të fuqishëm, kjo mund të përkthehet në humbje të mëdha për to. Për këtë arsye në media kanë nisur kërkesat e para drejtuar FIFA-s për të kompensuar federatat kombëtare dhe klubet për ‘dëmin që do t’i shkaktojë’ zhvillimi i botërorit në këtë periudhë.Por organizmi më i lartë i futbollit botëror ka hedhur poshtë këto pretendime duke deklaruar se nuk do të ketë asnjë kompensim.“Nuk do të ketë asnjë kompensim, për askënd. Janë shtatë vite përpara, një kohë e mjaftueshme për të gjitha federatat dhe klubet për t’u riorganizuar”, deklaroi Sekretari i Përgjithshëm i FIFA-s, Jerome Valcke.Komiteti Ekzekutiv i FIFA-s do të mblidhet në fund të muajt mars për të miratuar rekomandimet e komisionit, që propozon zhvillimin e botërorit në nëntor-dhjetor. Ka zëra se kompeticioni mund të nisë më 26 nëntor dhe të përfundojë më 23 dhjetor.



Aubameyang: Pirlo është idhull për mua

24/02/2015
Juventusi dhe Dortmundi do të përballen këtë mbrëmje në Torino në ndeshjen e vlefshme për 1/8-at e Champions League, ndërsa në prag të këtij takimi Pierre-Emerick Aubameyang ka vlerësuar maksimalisht Andrea Pirlon dhe Gianluigi Buffon. 

“Është nder për mua të përballem me Andrean dhe Gianluigi Buffon”, ka thënë lojtari nga Gaboni, i cili është produkt i akademisë së Milanit.Aktualisht Dortmundi gjendet në vendin e 12 në Bundesligë, por vjen në këtë ndeshje pas tre fitoreve radhazi dhe morali është i lartë. Megjithatë, Aubameyang thotë se shokët e tij të ekipit janë të vetëdijshëm se për të mundur bardhezinjtë duhet shumë punë.“Ne kemi arritur 3 fitore radhazi dhe ky është një fakt shumë i mirë për ne në këtë sfidë. Por ne e dimë se në Torino do të jetë e vështirë, sepse Juventusi është ekipi më i mirë në Itali për momentin. Ata mund të mundin çdo kundërshtar”, tha Aubameyang. 


Man. City - Barcelona, Pique i druhet David Silva-s 

24/02/2015
Mbrojtësi i Barcelonës Gerard Pique i druhet një spanjolli te Manchester City në ndeshjen e së martës, ku ekipi i tij do të luajë në “Etihad Stadium” ndaj vendasve. 

Pique tha se David Silva do të bëjë diferencën te Manchester City. Spanjolli i City-t vjen në këtë ndeshje pas një paraqitje fantastike në fundjavë, në fitoren 5-0 ndaj Neëcastle, ku ai dhuroi një asist për Dzeko-n dhe realizoi dy gola në pjesën e dytë. “Unë mendoj se ai është lojtari që bën diferencën, jo vetëm në sulm, por edhe në mesfushë. Ai krijon shumë mundësi shënimi. Ne jemi duke folur për një lojtar të klasit botëror, me cilësi të jashtëzakonshme teknike. Silva është një lojtar i madh, ne kemi luajtur bashkë dhe i njohim cilësitë e tij. 


Raul debuton me Cosmos, shënon nga pika e 11-metërshit 

20/02/2015
Ish-kapiteni i Real Madrid, Raul Gonzalez, debutoi me skuadrën e tij të re New York Cosmos në një ndeshje miqësore në Hong Kong. 

Sulmuesi spanjoll shënoi një gol në serinë e 11-metërshave, pasi 90 minutat përfunduan në barazim 2-2. Raul u pa në fushë me numrin 7, atë që ka mbajtur gjithmonë te Reali. Ai zhvilloi një ndeshje të “vakët”, me vetëm dy gjuajtje pa rrezikshmëri drejt portës.Në datën 4 prill pritet debutimi i Raulit në një ndeshje zyrtare me skuadrën e re të tij.  New York Cosmos merr pjesë në kategorinë e dytë të futbollit në SHBA.


F1, testimet në Barcelonë, Maldonado i pari 

20/02/2015
Është Pastor Maldonado më i shpejti i ditës së parë të testimeve të Formulës 1 në Barcelonë, në pistën e Montmelosë. 

Venezueliani i Lotusit mbylli ditën me kohën 1’25”011, xhiro e regjistruar me goma të buta. Në vend të dytë renditet Kimi Raikkonen me Ferrari (+ 0"156). Kokëkuqja duket se ka ndryshuar për mirë në krahasim me sezonin e shkuar, por vetëm nisja e sezonit të ri do e tregojë gjendjen e vërtetë të skuderisë italiane.Mirë edhe Red Bulli me pilotin Daniel Ricciardo, i treti me + 0"536.E veçanta e këtyre testimeve ishte Susie Wolff (Williams), e vetmja femër në Formulën 1. Ajo zhvilloi shumë xhiro (86) duke shënuar kohën e dhjetë më të shpejtë (1:28.906). Gjithashtu, ajo pati një aksident me Felipe Nasr që detyroi komisarët të ndërprisnin për disa minuta testimet. I kujt ishte faji? Varet se kë pyesni...
Rezultatet e ditës së parë të testimeve në Barcelonë:
1. P. Maldonado (Lotus) 1:25.011 (69)
2. K. Raikkonen (Ferrari) 1:25.167 (74)
3. D. Ricciardo (Red Bull) 1:25.547 (59)
4. S. Pérez (Force India) 1:26.636 (34)
5. Felipe Nasr (Sauber) 1:27.307 (79)
6. Verstappen (T. Rosso) 1:27.900 (94)
7. J. Button (McLaren) 1:28.182 (21)
8. Wehrlein (Force India) 1:28.329 (32)
9. P. Wehrlein (Mercedes) 1:28.469 (48)
10. Susie Wolff (Williams) 1:28.906 (86)
11. Hamilton (Mercedes) 1:30.429 (11)


Napoli interesohet për trajnerin Klopp 

19/02/2015
Jurgen Klopp është në shënjestrën e presidentit të Napolit, Aurelio de Laurentis. 

Numri 1 i klubit të kaltër ka vendosur që pasardhësi i Rafa Benitez në stolin e skuadrës të jetë trajneri i suksesshëm gjerman, i cili me Borussia Dortmund ka fituar 2 kampionate gjermane dhe ka arritur 1 finale të Champions League.Sipas sportmediaset.it, De Laurentis do të flasë personalisht me teknikun për ta bindur që t’i bashkohet projektit të tij.Kontrata e Jurgen Klopp me Borussia Dortmund skadon në vitin 2018, por sezoni zhgënjyes në Bundesligë që po kalojnë verdhezinjtë ka hedhur dyshime mbi të ardhmen e këtij trajneri.


Marchisio: Synojmë finalen e Champions

19/02/2015
Mesfushori i Juventusit, Claudio Marchisio ka thënë se kampionët e Serisë A mund të përballet si të barabartë me ekipet më në formë vitet e fundit në Europë, Bayern Munich, Real Madrid dhe Chelsea. 

Italiani është shprehur i bindur se Juventusi do të kalojë Dortmundin në këtë fazë të Champions League. Për të kjo ndeshje do të tregojë vlerat e vërteta të ekipit ku ai bën pjesë.
“Ne synojmë të shkojmë në finale të Champions. Në ndeshjen ndaj Dortmundit do të duken vlerat e vërteta të Juventusit. Tani ne duhet të demonstrojmë se synojmë maksimumin në këtë kompeticion. Ne mund të ndeshemi si të barabartë me Real Madrid, Chelsea dhe Paris Saint-Germain”, tha ai.

Kupa e Mbretit, Barça sërish ndaj “nëndetëses së verdhë”

11/02/2015
Barcelona do të vihet në kërkim të fitores së dhjetë radhazi, për të hedhur edhe një hap më tej drejt finales së Kupës së Mbretit, kur të presin mbrëmjen e sotme Villarrealin në takimin e parë të gjysmëfinaleve. 

Katalanasit janë rikthyer në formën e tyre më të mirë, edhe pse klubi u duk buzë krizës institucionale pas revoltës në dhomat e zhveshjes, që shpërtheu pas humbjes 1-0 ndaj Real Sociedadit në fillim të vitit.Talenti brazilian Neymar ka luajtur një rol kyç përgjatë kësaj ecurie, së bashku me Lionel Messin dhe Luis Suarezin. Të tre ata mundën të shënonin ndaj Bilbaos në fitoren 5-2 të së dielës, kur Barcelona shkurtoi diferencën në një pikë me kryesuesit e La Ligës, Real Madrid, ndërkohë që kanë shënuar plot 34 gola në 9 ndeshjet e fundit.“Jemi duke u përmirësuar ditë pas dite, por na duhet të punojmë sërish fort për t’u përmirësuar edhe më”, tha Neymar, i cili ka shënuar 23 gola në 27 takime të luajtura këtë sezon. “Më shumë sesa vetë golat, e rëndësishme është të ndihmoj shokët e mi të skuadrës. Ne nuk duhet të ndalemi tani, por duhet të vijojmë këtë ecuri”.Kapiteni Xavi u rikthye me ekipin përpara sfidës së të dielës, kur Barça siguroi të parën fitore ndaj baskëve që prej vitit 2010, por mesfushori veteran është i vendosur se ekipi duhet të ruajë këtë moment të mirë në të gjitha frontet, duke qenë se edhe Champions League do të rikthehet javën e ardhshme, ku katalanasit do të ndeshen me Manchester Cityn .Villarreali e ka pësuar një “show” të dyshes Messi-Neymar vetëm pak javë më parë, por ata ia vështirësuan me të vërtetë “jetën” vendasve në “Camp Nou”, kur kaluan dy herë në avantazh më 1 shkurt, edhe pse “blaugranat” triumfuan në fund 3-2 në La Liga.Ajo ishte humbja e vetme për “nëndetësen e verdhë” në 20 ndeshjet e fundit, por trajneri Marcelino paralajmëron ndryshime në ekipin e tij, që fitoi 2-0 ndaj Granadas në fundjavë, pasi objektivi parësor i tyre është të përfundojnë ndër 4 ekipet e para në La Liga.Në gjysmëfinalen tjetër, Espanyoli do të udhëtojë në transfertën baske për t’u përballur me Athletic Bilbaon, dy ekipe që gjenden në mesin e renditjes së kampionatit spanjoll, por që e dinë mirë se e vetmja mundësi për të luajtur në Europë vitin e ardhshëm është përmes fitimit të Kupës së Mbretit.


Ancelotti kërkohet nga United dhe City 

11/02/2015
Manchester United dhe Manchester City janë vënë në gjurmët e trajnerit të Real Madrid, Carlo Ancelotti. 

As Van Gaal dhe as Pellegrini nuk e kanë të sigurtë vazhdimësinë e tyre në klubet e Mançesterit dhe sipas ‘Sky Sports’ këto klube po punojnë për të marrë shërbimet e trajnerit italian në sezonin e ardhshëm.Disfata e Realit ndaj Atletico Madrid në fundjavë ka bërë që Ancelotti të vihet në dyshim, pavarësisht se sezonin e kaluar fitoi Champions League me madrilenët.United dhe City janë në pritje sesi do të zhvillohen ngjarjet për të bërë lëvizjen e tyre.

Junajdit vuan, e shpeton Blind

10/02/2015
Nën shenjën e bara zimeve është mbyllur java e 24-t e Premier Ligës. 

Pas BërnlejUest Bromuiç 2-2 dhe Njukasëll-Stok 1-1, përfundon me rezultatin e “St James Park” edhe sfida e skuadrave të pjesës së sipërme të klasifikimit mes Uest Hemit dhe Mançester Junajtid. Londinezët i japin një leksion të vërtetë “djajve” duke merituar më shumë se ajo që morën pas 90 minutave.Van Gal ka bindur Runin që të pranojë mesfushën, mbrojtja fut ujë nga të gjitha anët, ndërsa dyshja e sulmit Van Persi-Falkao nuk funksionon. Januzajt i mbetet vetëm të ankohet për rolin e tij të papërcaktuar në mesfushën diamant, ashtu siç Di Maria duket i fikur në qendër. Morali është që barazimi, ashtu siç e pranon sinqerisht edhe njeriu që i shpëtoi dje në “Upton Park”, Blind, është rezultati që nuk kënaq askënd. Junajtid mbetet në vend të katërt, ndërsa “çekiçët” humbasin 2 pikë të rëndësishme në shtesë dhe mbesin në vend të 8-të.Ndeshje totalisht në stilin anglez me portierët spanjollë, Adrian dhe De Gea më të mirët në fushë: dhe nëse ndahet gjithçka në 1-1, është meritë e tyre. Një gabim i Songut pas 6 minutash u dhuron miqve rastin e parë, por Van Persi, i shqetësuar nga Adrian, nuk arrin të godasë. De Gea hap serinë e pritjeve me një ndërhyrje të rëndësishme 14′ pas goditjes së Valencias. Gardiani rikonfirmon reflekset e tij me këmbë edhe ndaj Tomkins 32′. Ndërsa Adrian i përgjigjet në minutën e 41-të duke ndalur silurën e Di Marias.Përpjekjet e skuadrës më të mirë në pjesën e parë shpërblehen në minutën e 49-të me Kujatenë. Emergjenca në mbrojtje e detyron Allerdajsin ta aktivizojë senegalezin në mbrojtje: ai kontrollon topin e përplasur në shpinën e Runit, shpik një dopio-xhonglim dhe në rrotullim e sipër befason De Gean. Falkao dhe Van Persi reagojnë, por Uest Hemi mbahet derisa Van Gal përdor lëvizjen e zakonshme të dëshpërimit: armën vrastare në ajër, Felainin. Një dalje e shkëlqyer e Adrian i mohon festën Falkaos. Felaini s’ka fat në 83′ me kokë, ndërsa Adrian është spektakolar në goditjen tokazi të Van Persit. Duket se ka përfunduar, por në 92′ Blind gjen golin e barazimit me një goditje që e përplasur në tokë dorëzon edhe Adrianin në ditën e tij. Me Shoun që lë fushën pas kartonit të dytë të verdhë, ulet dhe sipari i mbrëmjes. Junajtid rikthehet në Mançester i pamposhtur, por skuadra e Van Galit mbetet një kantie.


Xhenoa mposht Lacion e Canes dhe Berishes

10/02/2015

Lacio i Lorik Canës dhe Etrit Berishës ka shënuar humbje 1-0 në shtëpi ndaj Xhenoas.

Skuadra e Stefano Piolit ka pësuar humbje befasuese për këtë edicion në Serinë A.Loja merr një rrjedhë jo të mirë për kryeqytetasit të cilët mbeten me 10 lojtarë që në minutën e 28-të. Pas daljes me karton të kuq të Marketit.Moment prej të cilit përfiton skuadra mike, duke fituar kështu një penallti të cilën Diego Peroti e kthen në gol (30’).Gol i cili vendosi fatin e Xhenoas, duke marrë 3 pikë të vlefshmë në transfertë. Kapiteni i Kombëtares sonë, Lorik Cana luajti titullar në këtë sfidë, ndryshe nga gardiani kuqezi, Berisha i cili u aktivizua për të zëvëndësuar Marchetin.Lacio pozicionohet në vendin e 6-të me 34 pikë,  e ndjekur nga Xhenoa me dy pikë më pak.













No comments:

Post a Comment