Çdo vit, Instituti i Shëndetit Publik raporton numrin e rasteve të reja të personave të infektuar me HIV/AIDS, por pavarësisht kësaj specialistët shprehen se numri i të prekurve është më madh nga ai që njihet. Deri në dhjetor të vitit 2012, raportoheshin 555 persona të prekur nga kjo sëmundje dhe nëse i shton edhe 70 rastet e zbuluara për 9-mujorin e parë të këtij viti, numri i të infektuarve shkon në 625. Ndërkaq, ekspertët e ISHP-së rendisin një sërë arsyesh mbi mosnjohjen e shifrave reale të personave të infektuar nga HIV-i. "Sipas përllogaritjeve, numri i rasteve duhet të jetë edhe më i madh. Disa nga arsyet për këtë janë: stigma e konfidencialiteti, mungesa e testimit vullnetar, informacioni i pakët dhe jo i saktë, hezitimi për të kryer testin, informacion i pakët për faktorët e sjelljes me risk të lartë etj.", shpjegojnë ekspertët e ISHP-së. Parandalimi
Marrëdhëniet seksuale të pambrojtura (pa prezervativ) apo gjaku janë arsyet kryesore në transmetimin e HIV-it nga një person te tjetri. "Shkëmbimi i shiringave dhe manipulimi me instrumente të ndotura është një rrugë e rëndësishme për transmetimin e infeksionit. Instrumentet që shërbejnë për shpimin e lëkurës (akupunktura, tatuazhet, shpimi i veshëve etj.), instrumentet e përdorimit vetjak (makinat e rrojës, furçat e dhëmbëve etj.) dhe instrumentet mjekësore të pasterilizuara janë burim i transmetimit të HIV-it nëpërmjet kësaj rruge", shpjegojnë specialistët. Ndërkaq, ata e vënë theksin te parandalimi, si mënyra e vetme për t'i shpëtuar infeksionit, të cilit deri më tani nuk i është gjetur një ilaç për kurimin. "Disa nga masat që duhen marrë për parandalimin e infeksionit përfshijnë abstenimin ndaj seksit, përdorimin e prezervativit gjatë çdo forme të marrëdhënieve seksuale, mosshkëmbimin e ageve, brisqeve apo instrumenteve të tjera që përdoren për piersing, tatuazhe, mjekimin e infeksioneve seksualisht të transmetueshme, bërja e testit për HIV nëse mendohet se ka pasur sjellje risku etj.", këshillojnë ekspertët e ISHP-së.
Zbulimi
Një problem tjetër që vërejnë ekspertët e ISHP-së lidhet me diagnostikimin e vonshëm të sëmundjes. Për këtë arsye ata rekomandojnë testet vullnetare, të cilat mund të kryhen në 12 qarqet e vendit. "Infeksioni HIV zakonisht diagnostikohet nëpërmjet testeve të gjakut, të cilat tregojnë prezencën ose mungesën e antitrupave HIV. Në Shqipëri, testimi për infeksionin HIV kryhet në 12 qarqet e vendit në Qendrat e Këshillimit e Testimit Vullnetar (QKTV), të cilat ofrojnë këshillim dhe testim vullnetar", shpjegojnë specialistët e ISHP-së. Ndërkohë që, në kuadër të 1 Dhjetorit, Ditës Botërore e Luftës kundër HIV/AIDS, ata apelojnë për më tepër testime vullnetare.
No comments:
Post a Comment