29 April 2013

Nis java e pashkes ortodokse

Kemi nisur javën e madhe të kremtimit të Pashkëve Ortodokse për të gjithë besimtarët ortodoks. E diela që lamë pas, e ashtuquajtura dita e dafinave, u përjetua me solemnitet, duke nisur kështu edhe rrugëtimin e Javës së Madhe deri në kulmin e saj, Ringjallja e Krishtit. Çdo ditë e javës së madhe ka temën e saj të veçantë dhe emërtohet në librat e shërbesave si "e madhe dhe e shenjtë". Sipas priftit Theodhori Nikolla që shërben në Kishën "Shën Mëhilli " në Gjirokastër disa prej ritualeve më kryesore ndër të tjera është e Enjta e Madhe, dita kur lexohen 12 Ungjijtë, i kushtohet Darkës Mistike që Krishti kremtoi me dymbëdhjetë apostujt e tij.
Tema kryesore e ditës është darka vetë, për të cilën Krishti porositi që Pashka e Dhiatës së Re të hahej në kujtim të tij, të trupit të tij që thyhet dhe gjakut të tij, që derdhet për ndjesën e mëkateve. Gjithashtu, në shërbesat e kësaj dite kujtohet tradhtia e Judës dhe larja e këmbëve të nxënësve. Një element i veçantë kryesisht për amvisat është përgatitja e vezëve të kuqe ,e cila nuk konsumohet deri të dielën në darkë. Veza si simbol i Ringjalljes së Krishtit është përdorur që në kohët e hershme si tradita e Pashkëve . Ajo simbolizon jetën, që është e mbyllur dhe e përgjumur brenda lëvozhgës së saj, ndërsa ngjyra e kuqe simbolizon sakrificën dhe në rastin konkret, sakrificën e Krishtit, simbolikë e fitores, gëzimit dhe jetës. Ngjyra e kuqe paraqet forcën dhe fuqinë e perëndisë dhe njëkohësisht simbolizon edhe gjakun e Krishtit, i cili u derdh në kryq për shpëtimin e të gjithë njerëzve në botë.

No comments:

Post a Comment