06 March 2013

Forcat speciale blindojne qarkun e Gjirokastres



Policia e Gjirokastrës, në 24 orët e fundit, ka ndërmarrë një seri kontrollesh frontale, në akset rrugore të saj me qëllim, identifikimin dhe kapjen e personave që qarkullojnë me mjete pa dokumentacion dhe të pajisur me armë zjarri, apo dhe elementë problematik me drejtësinë dhe policinë. Në këtë operacion, përvec forcave policore të Drejtorisë Rajonale, janë angazhuar edhe Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë. Në një demonstrim force të realizuar mesditën e të mërkurës në të dalë të Lazaratit, efektivat e FNSH, kanë realizuar disa kontrolle blic në dhjetëra automjete ku rezultatet nuk kanë munguar. Si pasojë e këtyre aksioneve të rrufeshme, nuk kanë ngelur pa u përfshirë edhe rrethet e Tepelenës dhe Përmetit përfshirë edhe qytetet e Këlcyrës dhe Memaliajt, ndërkohë që rezultatet kanë qenë të dukshme për policinë.
Sipas shefit të Komisariatit të Trafikut Rrugor të Gjirokastrës Luan Shehu, janë bllokuar 10 automjete pa dokumente, pezulluar tre leje drejtimi për konsum të pijeve alkoolike, si dhe u janë hequr xhamat e zinj, 70 automjeteve të tjera. Krahas punës së kryer në akset e brendshme dhe akset rajonale e nacionale, forcat e FNSH, kanë kryer aksione blic edhe në tre kazino dhe shtatë lokale nate në të gjithë Qarkun e Gjirokastrës por që nuk kanë gjetur elementë të dyshimtë. Aksionet blic do të vijojnë në të gjithë territorin e qarkut me qëllim rritjen e sigurisë publike në zonat urbane dhe të asaj rrugore në akset e jugut.

No comments:

Post a Comment